Shqiptarët duhet të jenë vigjilentë ndaj tërmeteve, e të kujdesshëm për cilësinë dhe vendin ku ndërtojnë.

Dy vjet pas tërmetit të 26 nëntorit, inxhinierja Luljeta Bozo tregon se rreziku nga lëkundjet në Shqipëri do të jetë gjithnjë prezent për shkak të aktivitetit sizmik nga i cili karakterizohet vendi.

“Shqipëria ndodhet në ndarjen e pllakave tektonike, ndaj gjithmonë do të ketë aktivitet sizmik”, tha Bozo për A2.

Si një garanci për sigurinë e qytetarëve, Bozo sheh kontrollin e cilësisë së ndërtimeve në vend.

“Duhet parë materialet që përdoren dhe të zbatohet legjislacioni”, tha ajo. Procesin e rindërtimit Bozo e sheh si një dhuratë të qeverisë për qytetarët, të cilët sipas saj kanë përfituar shtëpi shumë më të mira seç i kanë pasur.

“Ku kishin menduar ata në fshat se do të kishin vila, me banja, nga kasolle që kanë patur më parë”, tha Bozo.

Dyvjetori i tërmetit që mori 51 jetë, e gjen inxhinieren Luljeta Bozo me më shumë përgjegjësi mbi supe, teksa në cilësinë e deputetes tregon kërkesat që ka për zgjedhësit e saj pensionistë.

“Pensionistët nuk mund të jetojnë me ato lloj pensionesh 110, 120 apo 130 mijë lekë”, shprehet Bozo.

Bozo zotohet se të drejtën e pensionistëve do ta kërkojë dhe në parlament, ndërsa pasionin e saj për inxhinierinë nuk do ta lërë kurrë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re