Policia e Rinasit ka bërë të mundur sekuestrimin e një shumë prej 20 mijë paund të padeklaruara dhe ka ndaluar poseduesin e tyre.

Sipas policisë në gjatë kontrolleve të kryera nga strukturat e Degës Doganore Rinas, në bashkëpunim me strukturat e Policisë, u konstatua dhe është bërë i mundur ndalimi i shtetasit me iniciale B.M. i cili po transportonte një vlerë në valutë të padeklaruar prej 20.000 paundësh.

Njoftimi i plotë:

Policia Kufitare e Rinasit parandalon dhe godet një tjetër rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 20.240 paund.

Procedohet penalisht 43-vjeçari, poseduesi i shumës së parave.

Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, në vijim të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në analizën e riskut, në bashkëpunim me autoritetet doganore në hyrje të RSH-së, kanë kaluar për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, shtetasin B. M., 43 vjeç, banues në Elbasan.

Gjatë kontrollit të imtësishëm, shtetasit B. M., Policia i gjeti në çantën e shpinës 20.240 paund.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Rinas u kryen veprimet e para hetimore për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re