Skip to content

20 denoncimet në SPAK/ Kush është avokati që zbuloi provat dhe futi në hetim gjyqtarë e prokurorë

Avokati Fran Dashi nuk është person shumë publik, por në qarqet e Drejtësisë të gjithë e njohin. Me mantelin e zi të avokatit, Fran Dashi ka qenë njeriu që është përballur në jo pak raste me prokurorë e gjyqtarë në thuajse të gjitha shkallët e sistemit të Drejtësisë.

Ai njihet si një prej avokatëve të disa çështjeve delikate mes të cilave edhe atë që cilësohet si “vrasja e shekullit”, ekzekutimin e Azem Hajdarit, teksa mbron në një proces të ri shtetasin Izet Haxhia që ka kërkuar rihapjen e hetimeve të dosjes.

Por, tashmë emri i Fran Dashit nuk lidhet thjesht me Izet Haxhinë, por me një tjetër akt jo pak të rëndësishëm. Ai ka paraqitur në SPAK një kallëzim penal për 10 ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë të shkarkuar nga shkalla e parë, disa edhe nga shkalla e dytë e vettingut.

Sipas tij, të shkarkuari duhet të mbajnë përgjegjësi penale për pasurinë e pajustifikuar dhe si provë ka paraqitur vendimet e trupave gjyqësore vetting. SPAK e ka depozituar kallëzimin dhe ka bërë një ndarje të dosjeve, duke gjykuar se një pjesë e tyre nuk janë në kompetencën e saj.

A duhet konfiskuar pasuria e prokurorëve të shkarkuar nga vettingu?!

Që prej nisjes së procesit të verifikimit të njohur ndryshe Vetting dhe që vepron përmes dy niveleve; i pari me emrin Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe i dyti me emrin Kolegji i Posaçëm i Apelimit janë shkarkuar 130 gjyqtarë e prokurorë, disa të vetëdorëhequr nga sistemi.

Natyrisht nuk janë të njëjta shkaqet ku është bazuar shkarkimi dhe shkeljet e konstatuara. Një pjesë e tyre janë shkarkuar për afera të rënda korruptive, për pasuri të jashtëzakonshme abuzive, produkt i vendimmarrjeve korruptive.

Por a duhet mjaftuar vetëm me largimin e këtyre personave nga sistemi? Një nga çështjet që duhet trajtuar shumë seriozisht është pikërisht fakti që këta persona duhet të hetohen për pasuritë e tyre dhe për vendimmarrjet korruptive. Natyrisht kjo nuk bëhet me retorikë politike, por me veprime konkrete ligjore e institucionale. Nëse ka nevojë për ndërhyrje legjislative, ndoshta tani është koha, por në asnjë mënyrë nuk duhet të vuloset heshtja e të gjitha palëve.

Natyrisht nuk është një gjë e lehtë. Shumica e tyre në vite kanë qënë dhe ndoshta janë ende persona të lidhur fort me politikën ose me grupet që ndikojnë vendimmarrjen e saj. Nuk është rastësi fakti që disa nga gjyqtarët e prokurorët e ndëshkuar më rëndë nga vettingu janë individë të njohur për lidhjet e forta politike dhe janë ndër ata që kanë devijuar apo mbyllur pa hetuar e gjykuar çështje të mëdha në këtë vend në interes të politikës dhe grupeve të strukturuara kriminale.

Fatkeqësisht është një fenomen që po e shohim ende në sistem dhe kryesisht në prokurori. Lojëra politike dhe korruptive me çështjet në hetim dhe gjykim. Një pjesë janë çështje shumë të nxehta, me impakt të madh publik.

Ndaj, është momenti të distancohemi fort nga praktika të tilla dhe nga këta individë. Kjo do të ishte një gjë shumë e mirëpritur nga qytetarët, me efekt të drejtëpërdrejtë parandalues për fenomene të tilla brenda sistemit, por edhe një shprehje e vullnetit politik të mazhorancës dhe opozitës për zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Është koha, që secili të marrë hakun, pasi Shqipër ka humbur shumë në këto 30 vjet. Është momenti, që pasuria e pajustifikuar e atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve të sekuestrohet. Sepse, në një mënyrë apo në një tjetër ata janë po aq të rrezikshëm sa subjektet që OFL ka përfshirë në atë që gjerësisht njihet si “KÇK”.