Dita Botërore e Shëndetit të Gojës, e vendosur nga Federata Dentare Botërore (FDI), organizohet çdo vit në 20 mars.

Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin, si dhe të tregojë rëndësinë e madhe që ka shëndeti oral në shëndetin e përgjithshëm dhe mirëqenien. Higjiena e mirë e gojës është shumë e rëndësishme sepse favorizon një shëndet të mirë. Fillimisht Federata Dentare Botërore, në Kongresin Botëror Dentar (AWDC) mbajtur në vitin 2007 në Dubai, vendosi datën 12 shtator, dhe deri në fund të vitit 2012 kjo datë njihej si Dita Botërore e Shëndetit të Gojës. Në vitin 2014, Federata Dentare Botërore vendosi ndryshimin e kësaj date duke përcaktuar datën 20 mars.

Sëmundjet e gojës janë sëmundjet më të zakonshme, jo të transmetueshme dhe prekin njerëzit gjatë gjithë jetës së tyre, duke shkaktuar dhimbje, parehati, shpërfytyrim dhe deri në vdekje.

OBSH e përkufizon shëndetin oral si “gjendje e çlirimit nga dhimbja kronike e gojës dhe fytyrës, kancerit të gojës dhe fytit, infeksionit oral dhe plagët, sëmundja periodontale (mishrat e dhëmbëve), prishja e dhëmbëve, humbja e dhëmbëve dhe sëmundje dhe çrregullime të tjera që kufizojnë aftësinë e një individi në kafshime, përtypje, të qeshura, të folur dhe mirëqenie psikosociale. “

Por cilat janë disa simptoma që nuk duhet t’i injoroni për sa i përket shëndetit oral? Më poshtë keni disa prej tyre.

  • Dhimbje e vazhdueshme dhëmbi

Dhimbja mund të vijë nga pjesa poshtë dhëmbëve ose nga vetë dhëmbët. Ndonjëherë mund të shfaqet si një dhimbje e mprehtë, akute e herë të tjera si dhimbje që ndyshon në intensitet.

  • Dhëmbë të ndjeshëm

Ndjeshmëria e dhëmbëve mund të shaktohet nga shumë gjëra. Zakonisht njerëzit kanë ndjeshmëri ndaj të ftohit por ka dhe raste me ndjeshmëri ndaj gjërave të nxehta apo të ëmbla.

  • Dhimbje apo gjakosje e mishrave të dhëmbëve

Dhimbja apo gjakosja e mishrave të dhëmbëve mund të jetë një shenjë e gingivitit, një fazë e hershme dhe e kthyeshme e sëmundjes së mishrave të dhëmbëve. Nëse lihet e patrajtuar sëmundja e mishrave të dhëmbëve shkakton inflamacion të mishit të dhëmbëve dhe me kalimin e kohës çon në lëvizjen e dhëmbëve, gjë që është e patrajtueshme dhe do të duhet heqja e dhëmbit.

  • Ulçerat e gojës

Disa njerëz vuajnë nga ulçera të shpeshta të gojës, e këta njerëz duhet të konsultohen menjëherë me dentistin për të evidentuar shkakun. E njëjta gjë duhet bërë edhe nëse ulçera e gojës zgjat më shumë se dy javë.

  • Dhimbje nofulle

Dhimbja e nofullave shkaktohet kryesisht nga bluarja e dhëmbëve. Pothuajse 65% e njerëzve që bluajnë dhëmbët e tyre e bëjnë këtë nga stresi dhe ankthi, kështu që trajtimi i menjëhershëm i këtyre shkaqeve është i nevojshëm. Bluarja e vazhdueshme e dhëmbëve mund të shkaktojë probleme me vetë dhëmbët dhe nofullën.

  • Era e keqe

Era e vazhdueshme e keqe e gojës mund të jetë një shenjë e sëmundjes së mishrave të dhëmbëve apo prishjes së dhëmbëve. Shkaqe të tjera të erës së keqe të gojës mund të jenë diçka që keni ngrënë, mospastrimi i gojës, goja e thatë, duhanpirja etj.

  • Thyerja e dhëmbëve

Nëse dhëmbët e thyer lihen pa trajtuar mund të shkatojnë dhimbje dhe probleme më të mëdha me dhëmbët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re