Dy vite pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit janë regjistruar mbi 20 mijë pasgoditje në vendin tonë.

 

Sizmologu Edmond Dushi shpjegoi se vatrat e post-lëkundjeve janë zgjeruar në hartë dhe ky sipas tij, interpretohet si një sinjal i mirë.

 

 

EDMOND DUSHI

SIZMIOLOG

“Është pasuar nga një numër i jashtëzakonshëm pasgoditjesh. Deri sot që flasim, kemi të lokalizuara mbi 20 mijë pasgoditje. 20 mijë post-lëkundjet janë përqendruar më së shumti në Kepin e Rodonit, në pjesën e Gjirit të Lalzit, në pjesën e Hamallajt. Këto kanë qenë zonat kryesore ku janë përqendruar postgoditjet. Kanë qenë të fokusuara në orët e para dhe ditët në vazhdim deri në dhjetor 2020, por tani kanë pësuar një shpërhapje edhe në zona të tjera të vendit. Është krejt normale sa i përket dukurisë sepse ndodh një relaksim tektonik dhe një balancë energjetike sa i përket energjisë sizmike.”

 

Përveç Dibrës, që kohët e fundit është goditur nga tërmete me magnitudë të ndjeshme, sizmologu Dushi rendit edhe zona të tjera ku janë regjistruar lëkundje sizmike.

 

 

EDMOND DUSHI

SIZMOLOG

 

“Dibra është një zonë me aktivitet të spikatur sizmik. këto janë tërmete të moderuara dhe nuk janë shqetësues për momentin. Kemi edhe zona të tjera që kanë qenë aktive gjatë 2021, në Himarë ka pasur përqendrime të disa mikrotërmeteve, në jug të Sarandës po ashtu, korça po ashtu, në veriperëndim po ashtu, në zonën e Malësisë së Madhe. Kjo është panorama e përgjithshme. Territori i Shqipërisë është aktiv dhe nuk duhet të shqetësohemi sapo shfaqet një vatër. Duhet ta shohim në tërësi dinamikën, shpeshtësinë dhe magnitudën e tërmeteve.”

 

Në Shqipëri është gjithmonë prezent rreziku i krijimit të vatrave të reja sizmike. Por sipas sizmiologut, tërmeti i 26 Nëntorit nuk mund të jetë ai që ndryshon pllakat tektonike.

 

 

EDMOND DUSHI

SIZMOLOG

 

“Rreziku për krijimin e vatrave të reja ekziston gjithmonë. Një tërmet mund të shkaktojë një thyerje të re tektonike që më pas do të shkaktojë tërmete të tjerë, por edhe një thyerje tektonike mund të jetë shkaktar i një tërmeti të fortë. Pllakat tektonike janë në kontakt të vazhdueshëm dhe nëse ndodh një ndryshim energjie diku, do të pasohet me një ndryshim të të gjithë energjisë në këtë sistem. Rrjedhimisht, sjell edhe pasoja të tjera. Në rastin konkret, unë nuk mendoj se është ky tërmeti destabilizues.”

 

Nga tërmeti i dy viteve më parë janë nxjerrë mësime të mëdha sa i takon masave infrastrukturore e ligjore, vëren Edmond Dushi, duke marrë në konsideratë që Shqipëria është gjithë kohës në alert për shkak të aktivitetit të lartë sizmik.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re