Më shumë se 20 punonjës të Shtëpisë së Bardhë janë intervistuar nga këshilltari special, Robert Mueller në hetimet për mundësi eventuale të pengimit të drejtësisë dhe lidhjeve potenciale në mes të fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump me ndërhyrjet ruse në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara më 2016.
Avokati i Trumpit, John Dowd, ka thënë, se numri i intervistave dhe mijëra faqe dokumente, theksojnë bashkëpunimin e “pashembullt” të Shtëpisë së Bardhë në hetimet e Muellerit për zgjedhjet presidenciale dhe periudhën e tranzicionit.
Down ka thënë se Shtëpia e Bardhë ka dorëzuar 20,000 faqe të regjistrimeve, derisa nga fushata e presidentit më 2016 janë dorëzuar më shumë se 1.4 milion faqe dokumente.
Nuk janë bërë të ditur emrat e të intervistuarve.
Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë ardhur në përfundim, se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në të mirë të Trumpit dhe dëm të rivales së tij, demokrates, Hillary Clinton.
Moska i hedh poshtë këto akuza.
Mueller dhe të paktën tre panele kongresionale janë duke hetuar ndërhyrjen e supozuar dhe lidhjet në mes të fushatës së Trumpit dhe Rusisë.
Administrata kundërshton se ka pasur ndonjë bashkëpunim me Rusinë.
Trump ka thënë se “mezi po pret” të intervistohet nën betim në hetimet e këshilltarit special./REL

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re