Top Channel ka fituar një beteje ligjore kundër portalit të cilin ky televizion e kishte paditur për shpifje.

Gjykata e Tiranës vendosi të pranojë në kërkesën e palëve paditëse në këtë rast televizionin Top Channel duke konstatuar shkaktimin e dëmit jopasuror ndaj shoqërisë paditëse Top Channel sh.a i njohur si një televizion kombëtar.

Gjykata detyroi palën e paditur “Qendra për Informim të Hapur”, pronare e domainit Syri.Net. të publikojë me shpenzimet e saj një deklaratë përgënjeshtruese të lajmit në faqen zyrtare web të Syri.Net, pasi vendimi i gjykatës të marrë formë të prerë.

Artikulli i botuar nga portali Syri, ishte i pabazuar në prova ku thuhej se drejtuesit e Top Channel, i kanë vendosur gjobë, biznesit CFO Pharma duke i kërkuar një shumë prej 200 mijë eurosh.

Dhe për ta bërë më të besueshëm për publikun, portali Syri publikoi një letër fictive për t’i treguar publikut se gjoba ishte kërkuar me shkresë.

Në letër ishte kërkesa për informacion, e dërguar ndaj disa kompanive, lidhur me një investigim të emisionit Top Story, çka u interpretua nga portali i Çim Pekës si një gjobëvënie.

Nga sqarimi i vetë televizionit, emisioni nuk mori asnjë përgjigje, megjithatë dokumentari u transmetua duke mos shfaqur asnjë emër kompanie.

Vetë pronari i CFO Pharma ka dërguar një letër ku kërkon ndjesë publike për konfliktin me Top Channel.

Ndërkohë portalet e tjera e riprodhuan lajmin e rremë, duke e kopjuar nga portali Syri.

Kohët e fundit, vetëm në harkun e 2 viteve, Syri dhe portalet e tjera kanë publikuar mbi 200 artikuj sulmues kundër Top Channel.

Kjo ka detyruar drejtuesit  që t’i drejtohen organeve përkatëse. E sikur të mos mjaftonin këto,  mes personave që i është bashkuar betejës është edhe ish kryeministri Sali Berisha i cili poston mesatarisht një shkrim në ditë lidhur me këtë përballje sa ligjore po aq edhe mediatike. (Shqip)

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re