Katër persona janë arrestuar nga policia kufitare e Kapshticës, pasi janë kapur duke ndihmuar në kalimin e paligjshëm të kufirit disa persona.

Shtetasit janë kapur në aksin Trestenik-Vishoticë, duke transportuar disa shtetas të huaj kundrejt fitimit prej 200 euro secilit.

Policia bën me dije se është “finalizuar operacionit të koduar “Vishotica” në pranga ranë:

• O.Z., 30 vjeç, banues në Tiranë.
• F.S., 39 vjeç, banues në Tiranë.

• I.T., 47 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për vepra penale në fushën e krimeve kundër personit dhe organizimit të lotarive të palejuara).

• E.R., 49 vjeç, banues në Korçë.

“Arrestimi i tyre u bë pasi, këta shtetas janë kapur nga strukturat e lartpërmendura, në rrugën Trestenik-Vishoticë, duke transportuar me mjetet tip “Volkswagen Touareg” dhe “Mercedes-Benz”, disa shtetas të huaj, të cilëve iu kishin premtuar kalimin dhe transportimin e tyre drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit prej 200 euro secilit”, njofton policia.

Policia po punon për vënien para përgjegjësisë ligjore edhe persona të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re