Nga auditimet e kryera gjatë vitit 2018 nga Kontrolli i Lartë i
Shtetit, vlera e efekteve negative në buxhet nga keqmenaxhimi,
shpërdorimi i fondeve publike, apo korrupsioni ka arritur në shifrën
rekord prej afro 1.5 miliardë dollarësh.

E dhëna vjen përmes raportit përfundimtar të punës së Departamentit
të Auditimit të Buxhetit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i disponuar
nga Scan. Krahasuar me një vit më parë, kur totali i dëmit arrinte në
1.1 miliardë dollarë vlera e munguar në buxhetin e shtetit është rritur
me rreth 36%.

Për vitin 2018, grupet e auditimit të Departamentit të Auditimit të
Buxhetit kanë ushtruar kontrolle në 24 subjekte, në disa prej të cilave
janë përfshirë edhe auditues polakë.

Sipas analizës së departamentit, Për vitin 2018 në auditimet e kryera
janë lënë gjithsej 519 rekomandime për përmirësimin e gjendjes dhe
problematikave të konstatuara, krahasuar me 409 rekomandime që ishin
dhënë një vit më parë. Masat për shpërblim dëmi ekonomik të shkaktuara,
të konstatuara gjatë auditimeve të vitit 2018 janë në shumën 2,2
miliardë lekë, afërsisht 22 milionë dollarë. Për këtë dëm janë propozuar
nga KLSH 14 masa administrative, 138 masa disiplinore. Në total
efektet negative nga shkeljet në buxhet arrijnë vlerën e 159 miliardë
lekëve, afërisht 1.5 miliardë dollarë./SCAN

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re