Fituesi i Topit të Artë për vitin 2018 i dha fund një dominimi dhjetëvjeçar të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, që i kishin fituar nga pesë Topa të Artë gjatë kësaj periudhe. Luka Modriç e konsideroi triumfin e tij si një triumf për “djemtë e vegjël”.

Modriçi, mesfushori që arriti ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve me Real Madridin dhe që e ndihmoi Kombëtaren e Kroacisë të shkonte deri në finale të Kupës së Botës, u shpërblye më 3 dhjetor me çmimin ‘Topi i Artë’.

“Askush nuk ka të drejtë ta krahasojë veten me Messin dhe Ronaldon. Ata janë më të mirët në histori të këtij sporti. Jam i lumtur që dikush normal arriti ta fitojë Topin e Artë”, kishte thënë Modriç sapo ishte shpërblyer me Topin e Artë nga France Football.

Përveç Topit të Artë, Modriç arriti të shkruaj histori edhe në garat e tjera, si çmimin e FIFA-s për lojtarin më të mirë të vitit, çmimin e UEFA-s e po ashtu edhe çmimin për lojtarin më të mirë të turneut të Kupës së Botës në Rusi.

Megjithatë, jo të gjithë ishin të kënaqur që Modriç u shpërblye me këto çmime, pasi kritikohej se ai nuk e ka talentin e natyrshëm si Messi apo urinë e Ronaldos për të shënuar gola. Por, 33-vjeçari u shpërblye pasi si për Real Madridin, ashtu edhe për Kroacinë, ai arriti ta orkestrojë lojën drejt triumfit në Ligën e Kampionëve dhe rrugëtimin deri në finale të Kupës së Botës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re