Shifrat e turizmit çdo ditë më e më shumë po konfirmojmë pritshmëritë se 2023 do të jetë viti më i mirë në këtë sektor.

 

Të dhënat e institutit të statistikave flasin se si 5-mujor hyrjet e të huajve në vendin tonë janë rritur me 42%, krahasuar më një vit më parë, ose e thënë ndryshe kanë vizituar vendin tonë 2.3 milionë turistë.

 

Rritje kanë shënuar edhe shifrat e daljes së shqiptarëve jashtë vendit, konkretisht me 21% krahasuar me 5-mujorin e 2022. Kjo shifër pritet të kulmojë në dy muajt korrik-gusht.

 

Sipas komunitetit të biznesit, këto shifra janë të pritshme, pasi ka një rritje të turistëve që vijnë në mënyrë të organizuar. Edhe këtë vit po dominojnë polakët, ndërsa ka një rritje të ndjeshme edhe të turistëve spanjollë. Një vit më parë u arrit shifra më e lartë e turistëve prej 7.5 milionë, por këtë vit kjo shifër pritet të tejkalohet.

 

Por a do mundet biznesi të përballojë këtë bum turistësh këtë vit? Aktualisht një nga shqetësimet që ka sektori është nënçmimi i euros, pasi kontrata janë lidhur kohë më parë dhe forcimi i lekut përkthehet në humbje në aktivitetin e tyre. Në kushte kur pasiguria në kursin e këmbimit mbetet e lartë, dilema e biznesit është për kontratat që duhet të lidhë për vitin e ardhshëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re