Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, njëkohësisht dhe Kryetar i Grupit Parlamentar Taulant Balla në përkujtim të 21 janarit ka vizituar sot familjen e dëshmorit Faik Myrtaj.

 

Balla ka theksuar se sot pas 12 vitesh urdhëruesi i vrasjeve vazhdon të rrahë gjoksin si dhe nënvizoi se SPAK duhet të hetojë urdhëruesit dhe ekzekutorët në krimin shtetëror të 21 Janarit 2011.

 

“Në Fier, në familjen e dëshmorit Faik Myrtaj në përkujtim të shokëve tanë të 21 Janarit. Faiku një burrë i mirë e i paqtë nuk i njohu dot nipin dhe mbesat e tij, sepse ra dëshmor duke protestuar kundër regjimit të Sali Berishës 12 vite më parë. Ajo që të irriton më shumë sot pas 12 vitesh është ironia ndaj drejtësisë, ndërsa urdhëruesi i vrasjeve vazhdon të rrahë gjoksin. Dosja penale për tre nga katër vrasjet dhe vendimet e gjykatave janë një nga turpet e mëdha në atë që quhej drejtësi në këtë vend. Edhe pse u vërtetua bereta e komandantit të gardës PZ52778, vrasja e Faik Myrtajt u cilësua nga gjykatatrat pa autor.

 

E vetmja dosje e pagjykuar është dosja e dëshmorit tjetër Aleks Nika, e cila sorollatet në sirtarët e Prokurorisë së Tiranës, edhe pse duhet t’i kishte kaluar SPAK prej shumë kohësh tashmë. Prej disa muajsh kërkesa e familjarëve, avokatit dhe apeli im publik i përsëritur pret përgjigje. SPAK të hetojë urdhëruesit dhe ekzekutorët në krimin shtetëror të 21 Janarit 2011”, shprehet Balla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re