Krim shtetëror e ka cilësuar Gjykata e Strasburgut vrasjen e 4 protestuesve në bulevard, në 21 janar 2011.

Familjarët e viktimave vijojnë betejën me drejtësinë, teksa i kërkojnë SPAK që t’i shkojë deri në fund kësaj çështje dhe të dënojë përgjegjësit.

Avokati Idajet Beqiri në një intervistë për emisionin “7pa5” në Vizion Plus me Alma Çelajn dhe Syrjan Rahovën ka thënë bërë përgjegjës kryesor kryeministrin e asaj kohe Sali Berisha, ministrin e Brendshëm Lulzim Basha dhe komandantin e Gardës Andrea Prendi.

“Gardistët që qëlluan i mbajti në zyrën e Kryeministrisë mos ti arrestonte policia me urdhër të gjykatës, i dekoroi, kamerat nuk ja u dha dhe punoi gjithë natën për ti fshirë. Krimi ishte shtetëror dhe ne kallëzuam penalisht Berishën, Bashën, Andrea Prendin dhe bashkëpunëtorët e tyre”, tha Beqiri.

Avokati më tej tha se qeveria e asaj kohe u mundua ta fshehë si krim, teksa tregoi edhe dy arsyet e forta që çuan qytetarët në revoltë; vjedhja e zgjedhjeve dhe video e Ilir Metës.

“Ne përgatitëm kallëzim penal dhe këtë herë ishte i kompletuar për ngjarjen dhe të akuzuarit ishin konkretë.  Qeveria e atëhershme u mundua ta mbulonte dhe përmes ndërhyrjeve në gjyqësor, duke ngritur veprën penale vrasje nga pakujdesia.

Por edhe familjarët e dinin që ishte një krim shtetëror sepse garda nuk mund të qëllonte pa një urdhër nga lart. Me vërtet u bë një protestë e madhe dhe pati dhunë nga protestuesit, por përse u bë. U bë sepse ishin vjedhur zgjedhjet dhe qeveria nuk hapte kutitë dhe e dyta kishim të bënim me një aferë korruptive nga më të rëndat, ku një ish ministër denoncoi publikish ish zv.kryeministrin Ilir Meta për 700 mijë euro dhe u kuptua se si vidheshin paratë publike”, tha Beqiri në “7pa5”.

Sipas tij, qëllimi i qeverisë së drejtuar nga Sali Berisha ishte shantazhi ndaj qytetarëve, që mund të bënte çfarë të donte dhe askush nuk mund të hapte gojën, ndryshe i vriste.

“Kundërpërgjigja e qeverisë kundër protestuesve ishte me një krim shtetëror. Qëllimi ishte që qeveria tu tregonte qytetarëve që ne bëjmë ccfarë të duam dhe ju po dolët prap në protestë ne u vrasim. Në momentin e ngjarjes, protestuesit ishin të pakët, sepse pjesa më e madhe ishte tërhequr. Vrasjet ishin të komanduara dhe nuk pati asnjë që e vranë sepse u fut në oborrin e kryeministrisë. Edhe në raste të tilla, duhet ta plagosësh në këmbë jo ta vrasësh. Ajo ishte krim shtetëror dhe u fsheh nga ai që e organizoi. Organizata kriminale ka një kokë dhe ai është Sali Berisha. Ai u tregonte edhe popullit që pushtetin e mbaj sa dua vetë se ndryshe unë ju vras”, tha ai.

Ekzekutorët për Aleks Nikën dhe Hekuran Dedën shtoi Beqiri ende nuk janë azbardhur se kush ishin.

“Për Aleks Nikën dhe Hekuran Dedën ende nuk janë zbardhur ekzekutorët. Ne për këtë bëmë kallëzim penale dhe iu drejtuam SPAK, që ka kompetencë për hetimet e zyrtarëve. SPAK e pa që ishte “patate e nxehtë” dhe ia kaloj Prokurorisë së Tiranës. Vendimi i Strasburgut ishte në të njëjtën linjë me ne dhe duhet të ishte SPAK për hetim. Vendimi i GJL pritet të zbardhet dhe ti shkojë SPAK. Ne kemi prova ku dalin qartë urdhrat që janë dhënë”, tha ai.

Idajet Beqiri më tej i bëri apel Bashës dhe Andrea Prendit të tregojnë të vërtetën dhe të ndihmojnë drejtësinë të zbardhë të vërtetën, për rrethana lehtësuese. Veprat penale që janë ngritur deri më tani sipas avokatit dënohen me burgim të përjetshëm.

“Basha dhe Andrea Prendi duhet të thonë të vërtetën. Përgjegjësia është me një lloj pendimi ose ndihmë që jep për të zbuluar të vërtetën. Këto janë vepra penale të rënda dhe do vërtetohet që është krim shtetëror dhe këto të çojnë në burgim të përjetshëm dhe në rrethana ndihmuese pozitat e tyre do lehtësohen”, përfundoi avokati./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re