Skip to content

“21 Janari”, Lulzim Basha paraqitet në SPAK

Ish kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është paraqitur këtë pasdite në ambjentet e Prokurorisë së Posaçme SPAK.

I vetëm, Basha ka buzëqeshur para kamerave para se të futej në ambjente e SPAK, aty ku do të merret në pyetje nga prokurori i posaçëm, Alfred Shehu.

Sipas burimeve, Basha do të merret në pyetje për çështjen e “21 Janarit”.

Më 21 janar të vitit 2011, kur gjatë një proteste në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u vranë 4 protestues, Lulzim Basha mbante postin e ministrit të brendshëm.

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut i hapi rrugë hetimeve nga SPAK, duke regjistruar procedimin penal me datë 15 korrik 2024, edhe pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, për 3 vepra penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Shpërdorim i detyrës e kryer në bashkëpunim” dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” e kryer në bashkëpunim.

Pas këtij vendimi Lulzim Basha ishte shprehur i gatshëm të paraqitej në SPAK.

Çfarë ndodhi më 21 janar?

Më 21 janar 2011, në një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, u vranë nga Garda e Republikës 4 protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe Aleks Nika.

Kryeministri i kohës, Sali Berisha deklaroi se opozita kishte përgatitur një “grusht shteti” për të rrëzuar qeverinë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se vrau 4 qytetarë të pafajshëm.

Në hetimin që u bë për vrasjen e protestuesve, të pandehur u morën Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia.

Të dy të pandehurit u dënuan, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg.

Por një publikim i ri ka doli në dritë 12 vite pas ngjarjes. Gazetari Artan Hoxha publikoi audiopërgjimet e shërbimeve të huaja ku zbardhej urdhëri i marrë për të hapur zjarr ndaj protestuesve.