Ish Presidenti Ilir Meta ka thirrur sot mbrojtësin e tij ligjor, Avokatin Kujtim Cakrani dhe i ka kërkuar t’i bëjë kërkesë prokurorit Alfred Shehu për t’u pyetur si person që ka dijeni për rrethana dhe fakte lidhur me “21 Janarin”.

“Presidenti i Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta ka thirrur sot mbrojtësin e tij ligjor, Avokatin Kujtim Cakrani dhe i ka kërkuar t’i bëjë kërkesë prokurorit A.Shehu për t’u pyetur si person që ka dijeni për rrethana dhe fakte lidhur me “21 Janarin”, thuhet në një deklaratë për media të shpërndarë nga Partia e Lirisë.

Më 21 Janar 2011, Meta kishte dhënë dorëheqjen si zëvendëskryeministër në qeverinë e Sali Berishës, dhe për më tepër, ishte ai “molla e sherrit” që shkaktoi protestën e cila u mbyll me katër viktima.

SPAK ka rikthyer sërish për hetim dosjen e “21 Janarit”.

Këmbëngulja e familjarëve të Aleks Nikës, viktima e vetme pa autor, bëri që dosja të rikthehej në vëmendje.

Ishte Gjykata e Strasburgut që e cilësoi “21 Janarin” krim shtetëror dhe në vazhdë të këtij vendimi, Gjykata e Lartë më 12 mars 2024 urdhëroi SPAK të nisë hetimet dhe të zbardhë përgjegjësitë.

Më korrik 2024, SPAK regjistroi procedimin penal për tre akuza: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.

Fillimisht, Prokuroria e Tiranës çoi në gjyq vetëm ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, dhe ish-efektivin Agim Llupo, të dënuar respektivisht me 1 dhe 3 vite burg, të cilët prej kohësh janë të lirë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re