Kreu i PD, Lulzim Basha, ka komentuar vendimin e Gjykatës së Lartë për hetimin e 21 janarit nga ana e SPAK.

Në një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës, Basha i cili në atë kohë ka qenë në postin e ministrit të Brendshëm, ka thënë se që në fillim ka kërkuar një hetim të plotë dhe transparent për këtë ngjarje, ku mbetën të vrarë 4 persona.

Basha ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë qenë ai personi që ka urdhëruar të qëllohet mbi protestuesit.

Pjesë nga intervista:

Zëri i Amerikës: Të ndalemi tek një zhvillim tjetër i po këtyre ditëve në Shqipëri. Gjykata e Lartë urdhëroi Prokurorinë e Posaçme, që të regjistrojë një proces penal për ngjarjet e 21 janarit dhe na kallëzim është edhe emri juaj. Në atë kohë ju keni ministër i brendshëm. A i druheni hetimeve për këtë rast?

Lulzim Basha: Aspak. Unë kam kërkuar prej fillimit një hetim të plotë dhe transparent. Sigurisht nuk komentoj asnjë vendim gjykate. Kanë kaluar 13 vite dhe është qartë besoj edhe për familjet e viktimave, që rasti është përdorur për politikë, për përfitime të ngushta politike. Mund të shohim madje edhe njerëz që janë akuzuar natën e 21 janarit, por që pastaj u graduan nga Partia Socialiste si kryetarë degësh apo kryetarë bashkish të Partisë Socialiste. Është një lojë e pistë edhe me gjakun e këtyre katër viktimave të pafajshme.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, viktimat u vranë nga plumbat e ardhur nga ndërtesa e kryeministrisë, në kohën që ju ishit ministër i Brendshëm.

Lulzim Basha: Dhe për këtë kam kërkuar prej ditës së parë një hetim të plotë dhe transparent, sepse unë personalisht nuk kam asgjë për të fshehur, apo për t’iu trembur dhe besoj se në këtë rast, si në çdo rast tjetër, drejtësia duhet të veprojë e papenguar nga politika dhe nga deklaratat politike dhe e pashfrytëzuar nga politika.

Zëri i Amerikës: Ju e përjashtoni çdo mundësi që një urdhër apo udhëzim të ketë dalë nga ju atë ditë?

Lulzim Basha: Pa diskutim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re