Më shumë se 50 shtetas nga Italia dhe afro 160 shtetas nga Greqia kanë ardhur gjatë muajit mars në Bashkinë e Devollit, duke u vetëkarantinuar në banesat e tyre.

 

Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Albert Lilo, shef i shërbimit të Epidemiologjisë në Devoll, i cili theksoi se të gjithë këta persona janë duke u mbikqyrur nga policia në bashkëpunim me qendrat shëndetësore të fshatrave dhe kryepleqtë, për tu siguruar që nuk janë duke e thyer karantinën.

 

Megjithëse Bashkia e Devollit është në kufi me Greqinë, e cila është një vend ku rastet e të infektuarve me COVID-19 janë të shumta, deri më tani ka çuar për analizë vetëm tri tampona dhe të tri rastet e dyshuara kanë rezultuar negative.

 

Nga ana tjetër edhe kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo ka pohuar se disa dhjetëra persona kanë ardhur nga Italia në Korçë gjatë marsit, duke u vetëkarantinuar në banesat e tyre.

 

Qyteti i Korçës është i vetmi qytet në qarkun juglindor i cili është prekur nga koronavirusi me 14 raste të konfirmuara zyrtarisht deri më tani.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re