Njëzet e dy vite më parë, NATO nisi “Operacionin e Forcave Aleate” (Operation Allied Force) ndaj ish-Jugosllavisë për t’i dhënë fund presionit dhe masakrave ndaj civilëve në Kosovë, me synimin “serbët jashtë, ndërmjetësuesit brenda, refugjatët të kthehen”, duke hapur një faqe të re për Kosovën.

Gjatë operacionit, i cili nisi për shkak të presionit dhe masakrave, si dhe mospranimit të palës serbe që Kombet e Bashkuara (OKB) të vendosnin trupat ndërkombëtare në Kosovë, sipas organizatës Human Rights Watch, kanë humbur jetën 489 deri në 528 civilë, ndërsa ish-Jugosllavia pretendoi se sulmet e NATO-s shkaktuan nga 1.200 deri në 5.700 civilë të vrarë.

Si rezultat i rritjes së përleshjeve mes palëve, më 23 shtator të vitit 1998, Këshilli i Sigurimit të OKB-së pranoi Rezolutën 1199, ku nga pala shqiptare dhe ajo jugosllave në Kosovë kërkohej armëpushim.

Pas masakrimit të më shumë se 20 anëtarëve të një familjeje nga fshati Abri e Epërme në pjesën qendrore të Kosovës, u themelua Misioni i Verifikimit të OSBE-së në Kosovë (KVM). Armëpushimi i arritur më parë u shkel në muajin dhjetor, kur Zvonko Bojaniç, kryebashkiaku serb i Fushë Kosovës, u gjet i vdekur në afërsi të Prishtinës.

Më 15 janar të vitit 1999 ndodhi Masakra e Reçakut, ku 45 fermerë shqiptarë u masakruan. Edhe pse trupat u zbuluan nga monitoruesit e OSBE-së, autoritetet jugosllave mohuan masakrën dhe pretendonin se të vrarët janë pjesëtarë të UÇK-së.

Përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për krizën në Kosovë filluan më 6 shkurt në Konferencën e Rambujesë, e cila u mbajt në afërsi të Parisit në Francë.

Iniciuesi i konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, i cili përbëhej nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca dhe Rusia. Delegacioni kosovar, së bashku me atë amerikan dhe britanik, firmosën atë që u bë e njohur si Marrëveshja e Rambujesë ndërkohë që delegacionet jugosllave dhe ruse nuk e pranuan atë.

Marrëveshja përmbante pika si administrimi i Kosovës nga NATO si një provincë autonome brenda ish-Jugosllavisë si dhe një forcë prej 30.000 trupash të NATO-s për mbajtjen e rendit në Kosovë. Në veçanti, pala serbe nuk e pranonte idenë e pranisë së trupave të NATO-s në Kosovë me zëvendësim të forcës së tyre të sigurisë, duke preferuar më mirë vëzhgues të paarmatosur të OKB-së.

Pasi që as tentimet e fundit për të bindur ish-Jugosllavinë nuk ishin të suksesshme, më 24 mars në orën 20:00 NATO-ja nisi “Operacionin e Forcave Aleate” që do të zgjaste deri më 10 qershor. Me përjashtim të Greqisë, të gjithë anëtarët e NATO-s kishin mbështetur operacionin. Operacioni po ashtu u mbështet edhe nga Forcat e Armatosura Turke (TSK) me dhjetë avionë të tipit F-16.

Gjatë bombardimeve të NATO-s ndodhën edhe disa incidente, ku u goditën zyrat e misioneve të huaja dhe ku humbën jetën edhe civilë, bombardime të cilat NATO i vlerësoi si “gabimisht”.

Në fillim të majit, një avion i NATO-s sulmoi një karvan refugjatësh shqiptarë, “duke menduar se ishte karvan ushtarak jugosllav”, ku u vranë rreth 50 civilë. Përsëri në maj, disa bombardime të NATO-s goditën ambasadën kineze në Beograd, duke vrarë 3 gazetarë kinezë dhe duke tërbuar opinionin publik kinez.

Një tjetër incident ndodhi mes datave 19 dhe 23 maj, ku u bombardua burgu i Dubravës. Rreth 19 të burgosur dhe gardianë u vranë nga bombardimi, por një numër i pasaktë, rreth apo më shumë se 70 shqiptarë pretendohet se janë vrarë nga forcat qeveritare serbe në ditët pas bombardimit.

Si rezultat i operacionit ushtarak të NATO-s, që zgjati rreth 3 muaj, Beogradi u pajtua për tërheqjen e forcave ushtarake dhe policore nga Kosova.

Më 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë, Maqedoni e Veriut, u arrit marrëveshja e cila njihet si Marrëveshja Teknike-Ushtarake e Kumanovës e cila i dha fund luftës në Kosovë. Një ditë më pas, më 10 qershor, NATO pezulloi operacionet.

Në të njëjtën ditë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi Rezolutën 1244, e cila përcaktoi statusin politik të Kosovës si protektorat i OKB-së dhe ia dha administrimin e Kosovës Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK). Më 12 qershor, pasi presidenti i asaj kohe i ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, pranoi kushtet, në Kosovë filluan të hynin forca paqeruajtëse shumëkombëshe NATO Kosovo Force (KFOR), ku edhe Turqia dha mbështetje me personel ushtarak.

Gjatë viteve 1998-1999 të luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 10 mijë kosovarë, prej të cilëve mbi 8 mijë shqiptarë, ndërsa afro 1 milion persona, rreth 800 mijë prej të cilëve shqiptarë, u detyruan t’i braktisin shtëpitë e tyre në Kosovë. Kosova më 17 shkurt të vitit 2008 shpalli pavarësinë e saj. (AA)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re