Është përmirësuar situata e zjarreve në disa bashki, ku gjatë ditëve të fundit u dogjën dhjetëra hektarë me pyje e shkurre.

 

Në një deklaratë për mediat zv/ministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici tha se aktualisht janë nën kontroll 20 vatra, ku 10 prej tyre kanë qenë më problematike.

 

Janë shuar dy vatrat në Qarkun e Vlorës, ajo në fshatin Qesarat dhe në kodrat me ullinj të Pusit të Mezinit në qarkun e Vlorës. Në qarkun e Durrësit është neutralizuar vatra në “Makaresh”, zonën e Krastës, në fshatin Bizë për të cilën është luftuar prej dy ditësh, në varrezat e vjetra të Durrësit si dhe në Gjirin e Lalzit duke shmangur rreziqet për zonat e banuara.Më e qetë është situata edhe në një vatër në fshatin Patin në Klos. Është shuar një vatër e raportuar në Vorë në fshatin Marikaj dhe fshatin Dushk në bashkinë Lushnje.

 

Sipas Bicit, lufta me flakët vazhdon në disa zona të tjera të vendit.

 

Puna vijon prej orëve të para të mëngjesit në shpatin e malit në Balldren, ku tashmë kemi një situatë të normalizuar, në fshatin Shetaj në Durrës, në fshatin Lgjin në Orosh të Mirditës, ku është aktivizuar sërish një vatër si dhe në fshatin Lekbibaj në Tropojë. Prefekturat të cilat kanë pasur numrin më të lartë të vatrave të zjarreve kanë qenë Fieri, Shkodra, Vlora dhe Tirana. Në muajin Qershor dhe Korrik në të gjithë vendin janë regjistruar 220 vatra zjarri në 42 bashki.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re