Balluku në Berat: Ndryshime rrënjësore në ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka zhvilluar një ditë pune në qarkun e Beratit, në fokus të së cilës ishte inspektimi i institucioneve publike të cilat ofrojnë shërbime për qytetarët, ndër të cilat Spitali Rajonal, Shërbimi Kombëtar i Punësimit dhe një biznes fason në Berat, si dhe zyrën e DRSHTRR në Çorodovë.

Në spitalin Rajonal të Beratit, ministrja Balluku u njoh me investimet e realizuara, të cilat kanë bërë të mundur transformimin e këtij spitali duke garantuar një shërbim me standarde më të mira për qytetarët. Drejtori i spitalit rajonal të Beratit, Eduard Bejko bëri të ditur ecurinë e punimeve sa i takon investimit që po bëhet në pavijonin e Patologjisë.

“Ky është një investim që i vjen në shërbim gati 230 mijë banorëve në të gjithë qarkun. Jemi munduar të bëjmë më të mirën e mundshme. Besoj që i afrojmë dhe standarde bashkëkohore”, – u shpreh Bejko duke shtuar se punimet janë drejt fundit dhe ky pavijon, me 17 dhoma, do të jetë gati pas dy javësh.

Nga ana e saj, ministrja Balluku nënvizoi se në sajë të investimeve të bëra nga qeveria, por edhe nga donatorë të ndryshëm, spitali Rajonal i Beratit po transformohet totalisht.

“Dëshira e mirë e njerëzve që punojnë në spitalin e Beratit ka bërë që shumë gjëra të ndryshojnë. Me investimet e qeverisë, me investimet e mbështetura nga donatorë të ndryshëm, situata ka ndryshuar totalisht. Pediatria ishte diçka për t’u marrë shembull dhe nga spitalet e tjera. Urgjenca gjithashtu me aksesin e garantuar për ambulancat dhe me zonat e ndara për trajtimin e pacientëve sipas rasteve, pra të zonës jeshile dhe të zonës së kuqe”, u shpreh Balluku.

Ministria bëri të ditur gjithashtu se një tjetër investim i rëndësishëm i qeverisë në spitalin rajonal të Beratit është ai për transformimin e maternitetit që pritet të nisë së shpejti.  “Ajo çfarë është më e rëndësishme, që në spitalin e Beratit pritet një investim i rëndësishëm i qeverisë në pavijonin e maternitetit dhe ai do jetë një investim që do i japë këtij spitali një ndryshim të jashtëzakonshëm dhe do t’i ofrojë, të gjithë qytetarëve të Beratit apo dhe të zonave përreth, shërbim akoma më të mirë mjekësor”, nënvizoi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal edhe tek mjediset e Zyrës së Punës, Berat, e cila në 5-mujorin e parë të këtij vitit, në sajë të koordinimit me bizneset që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në qarkun e Beratit, ka bërë të mundur punësimin e afro 300 qytetarëve.

Një tjetër inspektim u krye nga ministrja Balluku në zyrën e Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në qytetin e Çorodovës, ku u njoh nga afër me lehtësitë që ka krijuar hapja e kësaj zyre për banorët e zonës, të cilët nuk janë më tashmë të detyruar të shkojnë deri në Berat për të marrë shërbimet bazë që lidhen me automjetet e tyre.

Balluku vizitoi gjithashtu edhe një prej bizneseve fason në zonën e Beratit e cila eksporton prodhimet e saj në Francë. Ky është një biznes tashmë i konsoliduar dhe që ka bërë të mundur punësimin e një numri të konsiderueshëm qytetarësh.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re