Sot shënohet 24 vjetori i çlirimit të Kosovës. Rreth cerek shekulli më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

 

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër grupeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave pushtuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

 

Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të larguar refugjatë në dhjetëra vende të botës.

 

Në këto vite në Kosovë kanë shërbyer afro 500mijë pjestarë të forcave paqeruajtëse të shumë vendeve, kryesisht atyre perëndimorë.

 

Shënimin e 24 vjetorit të çlirimit të Kosovës, liderët e shtetit e nisën me homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

 

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë homazhe edhe pranë varrit të ish-veprimtarit, Adem Demaçi.

 

Ndërkaq, në ditën e çlirimit të Kosovës, Osmani, Kurti dhe Konjufca do të bëjnë homazhe edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re