
Viti i ri shkollor ka nisur në Shqipëri por në disa shkolla do të ketë mësim me turne dhe orët mësimore do të jenë jo 45 por 25 minuta.
Kjo ka bërë që shumë prindër të ndihen të shqetësuar për mësimnxënien e fëmijëve të tyre, prandaj dhe sot kanë rendur për të firmosur peticionin që ka nisur në vendin tonë kundër mësimit me turne apo orare të shkurtuara.
Firmosja e këtij peticioni pritej të niste në orën 17:00 të ditës së sotme, por prindërit kanë filluar ta firmosin edhe më herët, duke shprehur hapur kundërshtinë e tyre për cënimin e procesit të rregullor mësimor.
Një nga prindërit që firmosi peticionin u shpreh për Fax News se orët 25 minuta nuk kanë kuptim, duke shtuar se shpreson që çdo gjë të kthehet në normalitet.
“Arsyeja kryesore është që mësimi të zhvillohet normalisht. Nuk ka kuptim t’i çojmë fëmijët dhe të bëhet 25 minuta mësim. Fëmija e merr mësimin për 45 minuta. Ky është shkurtim i panevojshëm. Masat që janë marrë janë të panevojshme pasi ne shikojmë në jetën e përditshme që nuk i zbatojnë fort. Po i ndjek maksimalisht fëmijët në këto momente. Ajo që mësohet në klasa nuk mësohet dot në ambiente të tjera. Mësuesja që ja jep mësimin është e përgatitur tamam për këtë punë. Shpresojmë që çdo gjë të kthehet në normalitet. Është kerkese krejtësisht normale e jona dhe të gjithë atyre që janë të interesuar për këtë çështje”, tha prindi.
Rigels Xhemollari, një nga personat që mbikqur tendat ku firmoset peticioni në Tiranë, u shpreh se interesi ka qenë i madh. Ai njoftoi se peticionin do të kenë mundësi ta firmosin dhe prindër në qytete të ndryshme, duke theksuar se ka ankesa nga këta të fundit që fëmijët nuk dinë të artikulojnë.
“Nuk kemi një numër të saktë të firmave të mbledhura pasi janë shpërndarë në shumë shkolla. Kanë qenë shumë të gatshëm për të firmosur. Çdo qytetar ka të drejtë t’i drejtohet institucioneve. Kur bëhën shumë bashkë bëhet dhe më e fortë lëvizja. Shumë prindër ankohen që nuk artikulojnë dot fëmijët e tyre pasi ka dy vite që bëjnë mësim online. Peticioni është ndarë dhe në qytete të tjera. Nesër do jemi te diga e liqenit edhe nesër edhe pasnesër për t’iu përgjigjur interesit të prindërve. Kauza është shumë e thjeshtë mësim 45 minuta, jo 25 minuta”, deklaroi Xhemollari.
(E.H/Faxweb.al)
në Facebook, klikoni Join Group
…
/faxweb
