
Dalin detaje të reja nga ngjarja e rëndë që tronditi sot qytetin e Beratit, ku një 42-vjeçar, babai i dy fëmijëve, u vra me thikë në Kalanë e qytetit jugor.
Autori i kësaj ngjarjeje, 63-vjeçari Kristo Mema rezulton person me precedent të mëparshëm penal, pasi është dënuar me 25 vite burg për një vrasje në Greqi, ndodhur 25 vite më parë.
Pas kryerjes së dënimit, ai ishte rikthyer në vendlindje, ku kishte nisur punë në zonën turistike të Kalasë ku dhe ofronte xhiro me kalin e tij.
Ndërkohë viktima, 42-vjeç nga Tirana, Keli Hoxha, ishte baba i dy fëmijëve. Bashkë me gruan dhe nënën kishin shkuar të kalonin një ditë ndryshe në Berat, pa e ditur se çfarë i priste.
Ai kishte dashur t’i bënte foto vajzave të tij me kalë, por autori nuk kishte pranuar dhe mes tyre kishte ndodhur fillimisht një përplasje fizike që më pas ka degraduar në përdorimin e thikës nga ana e 63-vjeçarit.
Autori, ende në kërkim nga policia, njihej si një person me probleme të karakterit dhe agresiv.
