Avokati i Popullit sot mbushi 25 që nga krijimi i një prej institucioneve të pavarura në vend. Në eventin për këtë ditë të shënuar u hap edhe një ekspozitë me fotografi nga aktivitetet ndër vite.

Nuk mund të mungonte fjala e drejtueses së Avokatit të Popullit, zonjës Erinda Ballanca, e cila mes të tjerash nuk la pa përmendur misionin këtij institucioni. Sipas Ballancës, Avokati i Poppulit ka qenë koshienca kritike vetëkorrigjuese e shtetit në kuptimin më të gjerë të fjalës, ndonëse jo gjithmonë është pranuar si i tillë.

E nderuar Kryetare e Kuvendit,

 

Të nderuar Shkëlqesi ambasadorë,

 

Të nderuar Ministra dhe përfaqësues të institucioneve të pavarura,

Të dashur kolegë, Avokatë të Popullit nga vende mike,

Përfaqësues të shoqërisë civile, medias dhe të organizatave ndërkombëtare,

Të dashur miq dhe partnerë,

Sot jemi mbledhur për të shënuar 25 vjet nga themelimi i Institucionit të Avokatit të Popullit, një moment që nuk përbën vetëm një datë në kalendarin e krijimit të institucioneve shqiptare, por, në vlerësimin tim, një kthesë cilësore formësuese e shtetformimit demokratik të Shqipërisë.

Një çerek shekulli më parë, në një Shqipëri që kishte dalë nga një diktaturë e egër, u krijua për herë të parë një institucion i dedikuar që kishte në qendër individin, jo si nënshtetas ndaj pushtetit, por si qytetar me të drejta që duhen mbrojtur e garantuar prej ekzekutivit.

Avokati i Popullit u themelua për të qenë institucioni që përfaqëson një prej formave më të mira të soft poëer-it demokratik: jo duke imponuar, por duke bindur; jo duke ndëshkuar, por duke rekomanduar; jo për të pasur forcë mbi qytetarët, por për të qëndruar në krah të tyre.

Në këtë përvjetor, më shumë sesa të flasim për atë që kemi bërë, dëshiroj t’ju thërras të reflektojmë mbi një pyetje thelbësore:

A është krijuar në këto 25 vite një kulturë e re, një mënyrë e re të menduari dhe të jetuari ku mbrojtja e të drejtave të njeriut shihet si themeli, qendra, zemra dhe truri bashkë i rendit tonë të ri shoqëror? Sepse mund të ndërtojmë institucione, të miratojmë ligje, të nënshkruajmë konventa – dhe ne i kemi bërë të gjitha këto; por ndërtimi i një kulture të të drejtave të njeriut është një proces shumë më i thellë, shumë më i gjatë, shumë më delikat.

Mbi të gjitha, institucione si Avokati i Popullit janë “frymë”! Përçues të një kulture ku qytetari nuk konsiderohet si i “dobëti” për t’u toleruar, por si bartësi legjitim i dinjitetit dhe i së drejtës. Një kulturë ku barazia nuk është slogan, por realitet; ku fëmijët, gratë, të moshuarit, të papërfaqësuarit nuk janë vetëm për statistika, por për përfaqësim të vërtetë.

Avokati i Popullit ka qenë dhe është në zemër të kësaj përpjekjeje. Ka qenë koshienca kritike vetëkorrigjuese e shtetit në kuptimin më të gjerë të fjalës, ndonëse jo gjithmonë është pranuar si i tillë.

Prandaj, ky 25-vjetor nuk është një pikëmbërritje, por një pikënisje e re!

Ne nuk mund të kënaqemi me faktin që ekzistojmë – duhet të shqetësohemi për sa ndikojmë. Nuk mjafton të jemi të pranishëm në krizë – duhet të jemi të domosdoshëm në çdo ditë të zakonshme, kur drejtësia, barazia dhe dinjiteti sfidohen pa zhurmë.

Të nderuar të pranishëm,

Sikurse patët mundësinë të njiheni më herët, përmes një ekspozite arkivore që u mundësua falë një bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, eventi i sotëm solli në vëmendje edhe zhvillimet historike të të drejtave të njeriut në Shqipëri, ku për herë të parë bëhen publike disa materiale arkivore që flasin me gjuhën e kohës – akte ligjore, korrespondencë shtetërore, fragmente kujtese kolektive – për të ndriçuar marrëdhënien qytetar–shtet edhe përtej një shekulli.

Kjo ekspozitë dëshmoi për etapat e emancipimit tonë shoqëror, por edhe për sfidat e dhimbshme të lirive njerëzore në periudha sistemesh që i mohonin vetë këto të drejta. Dhe pikërisht për këtë, themi se të drejtat e njeriut nuk janë luks institucional, por nevojë ekzistenciale për çdo shoqëri që ka kaluar nëpër plagë të thella.

Jo rastësisht, rekomandimi i parë që ky institucion dha në vitin 2000 nuk ishte teknik, as juridik në kuptimin klasik të fjalës. Ishte një thirrje për drejtësi dhe ndjeshmëri, përballë dramës së firmave piramidale – një plagë e hapur e shoqërisë shqiptare, një traumë e kohës, që solli pasoja shkatërruese për mijëra qytetarë.

Ky rekomandim i parë nuk është thjesht dokument arkivor – është akt themeltar i misionit tonë human, i vendosjes së individit dhe dinjitetit të tij në qendër të shtetit.

Prej asaj kohe e deri më sot, janë mbi 5750 rekomandime, disa të pranuara, disa të zbatuara pjesërisht e disa të arkivuara në “ndërgjegjen institucionale”.

Ka pasur gjithmonë nga ata që na kanë trajtuar si një institucion “që nuk të detyron”. Dhe ndoshta kanë pasur të drejtë: nuk detyrojmë, por ama ekspozojmë! Nuk ndëshkojmë, por ndërgjegjësojmë! Dhe shpesh, rekomandimet që nuk janë zbatuar nga institucionet, janë kthyer në leksione më të mëdha për ne vetë, për të kuptuar sa rrugë kemi ende për të bërë.

Të nderuar miq,

Demokracia nuk është vetëm çështje institucionesh – është edhe çështje ndërgjegjeje.

Mbrojtja e të drejtave të njeriut, përpos të qenit mision i Avokatit të Popullit, është përgjegjësi e përbashkët; është prova e vetme e një shoqërie që e ka marrë seriozisht lirinë që fitoi pas një diktature apo stadin e mirëqenies që ka arritur.

Të rrisim ndjeshmërinë, përgjegjësinë dhe guximin për të ndërtuar së bashku një Shqipëri ku të drejtat e njeriut nuk mbrohen vetëm kur cenohen, por respektohen përditë!

E ndaj nevoja për reflektim është thelbësore dhe qendrore: ajo na çon të ribëjmë në vazhdimësi pyetjen: A kemi ndërtuar në këto vite një kulturë të re, një vetëdije shoqërore se mbrojtja e të drejtave të njeriut është baza e rendit tonë demokratik? Sepse një institucion, ashtu si të drejtat, mund të ekzistojë në letër, por merr jetë vetëm kur qytetarët e ndjejnë dhe i drejtohen pa drojë e me besim.

Fatkeqësisht edhe me ngjarjet e pamendueshme që njerëzimi ka qenë i sfiduar në pesë vitet e fundit, dilemat, në vend që t’i linin vendin qartësisë pozitive, janë thelluar edhe më tej.

E për t’u kthyer te ngjarja që na ka mbledhur; miq, ky përvjetor ka mjaft ngjyra përtej të qenit një ngjarje festive:

Është kujtesë: të drejtat nuk kanë qenë gjithnjë aty e mund të mos jenë gjithnjë, ndaj duhen mbrojtur e garantuar me përgjegjësi çdo çast.

Është një ftesë për të gjithë – institucione, shoqëri civile, media, qytetarë – për të bashkëjetuar me të drejtat e njeriut (pse jo edhe me përgjegjësitë e njeriut), dhe jo vetëm për t’i njohur në teori apo thjesht për t’i përmendur ato.

Është thirrje për reflektim: Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë një shoqëri ku të drejtat nuk merren vetëm kur kërkohen me zë të lartë, por respektohen në heshtjen e përditshme.

Ju falënderoj përunjësisht që sot jeni të pranishëm dhe uroj ta konsideroni këtë përvjetor jo vetëm si histori, por si angazhim për të ardhmen.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko