Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë njoftoi sot se gjatë kësaj jave janë vendosur 285 masa për shkelësit e Kodit Rrugor, të cilët rrezikuan jetën e përdoruesve të rrugës, shkaktuan kaos në trafik ose penguan lëvizjen.
Si rezultat i pranisë së shtuar në rrugë, edhe për shkak të reshjeve, Policia në bilancin e javës informoi se janë proceduar penalisht 34 shtetas për shkelje të parashikuara në Kodin Penal.
Konkretisht, u ndëshkuan me masa:
-99 drejtues mjetesh, për mosrespektim të radhës së lëvizjes;
-76 shtetasve iu mor mjeti, me mjet ngritës, pasi kishin parkuar gabim ose kishin penguar qarkullimin;
-67 shtetas, për qarkullim me shpejtësi mbi normat;
-43 shtetas, për drejtim të automjetit, në ndikimin e alkoolit.
Sipas Policisë Rrugore, monitorimi vijon, me prezencë të shtuar dhe me pajisje teknologjike bashkëkohore.
Policia Rrugore apelon sërish, për drejtuesit e mjeteve dhe për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, pasi vetëm në këtë mënyrë kontribuojnë në misionin e përbashkët, garantimin e sigurisë rrugore.



