Në 29 vjetorin e shembjes së bustit të diktatorit Enver Hoxha, kreu i PD-së, Lulzim Basha iu bashkua aktivitetit të Alenacës për Mbrojtjen e Teatrit, në Teatrin Kombëtar, ku po zhvillohet konkursi për monumentin e kujtesës së heronjve të demokracisë.

Në fjalën e tij, kreu i PD-së shprehu mirënjohje për të gjithë ata që 29 vite më parë, siç tha Basha, “ndezën shkëndijën e shpresës dhe flakën e demokracisë”.

Ndërsa u ndal tek qëndresa e Aleancës për Teatrin, për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar, kryeopozitari u shpreh se ajo i tregoi botës “që shqiptarët nuk janë ata ku i ka katandisur ky regjim”.

“Mirënjohja i takon të gjithë atyre që ndezën para 29 vitesh shkëndijën e shpresës e bashkë me të edhe flakën e demokracisë e lirisë së ndërgjegjes së një kombi. E sot jemi mbledhur për ta kujtuar atë. Ata bënë të mundur jo vetëm shembjen e shtatores së diktatorit, pro edhe sjelljen para këmbëve të studentëve të asaj që përfaqësonte frikën, tmerrin terrorin dhe simbolin e një diktature 50 vjeçare. Me të njëjtën kuraje qytetarët e Tiranës i janë bashkuar artistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, që mbrojnë shumë më shumë se një godinë që i tregojnë botë se shqiptarët nuk janë ata ku i ka katandisur ky regjim.

Nuk janë njerëzit e frikës, nuk janë njerëzit e vesit, nuk janë njerëzit e krimit, por populli fisnik që di të mbrojë me çdo sakrificë artin dhe artistët që di t’i bëjë fre babëzisë, që di të bëhet diga e fundit e padrejtësisë atëherë kur duket se ajo ka pushtuar gjithçka, që di të mbrojë të drejtat Kushtetuese që e bëjnë Europën Europë, atëherë kur duket se Kushtetuta ka dhënë shpirt. Ky është mesazhi i qëndresës për teatrin

Këtë natë të 20 shkurti i 2020 le të betohemi se forca jonë, mendjet tona do të jenë bashkë deri në realizimin e qëllimit më fisnik që një komb mund të ketë, të sigurojë liri dhe dinjitet për fëmijët tanë, për kombin tonë”, tha Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re