Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Masmedias për Veprimtarinë e TVSH nga drejtori Thoma Gellçi u dha një lajm i madh: TVSH ka eksluzivitetin e Champions League. Ky lajm u publikua në faqen e RTSH dhe në rrjetet e saj sociale si arritje e madhe sipas stilit enverist te propagandës.

U fol për shumën ku u tha se për tre vjet, sezoni ishte blerë 1.2 milion Euro. Por djalli fshihet ne detaje. Edhe pse vendimi është marrë që në Prill, lajmi u dha pikërisht në këtë raportim të Drejtorit Gellçi, për të sfumuar zërat për një largim te tij nga detyra. Ai më mirë se kushdo, e di mirë çdo të thotë propagandë në kohën e duhur. Zëri i Popullit që drejtonte dikur është mësonjetorja më e mirë për këtë.

Por si është e vërteta?

Sipas Vendimit të Këshillit Drejtues, që mban datën 27 Prill 2020, është blerë e drejta e transmetimit për vetëm një ndeshje në javë dhe jo gjithë paketa, e cila është ekskluzivitet i një tjetër operatori privat.

Për ta sqaruar më thjeshtë për ata që paguajnë taksat e mund të gënjehen nga propaganda dhe termat, siç mund të gënjehen deputetët e komisionit parlamentar që mirë që nuk dinë, por nuk pyesin për të mësuar:

Liga e Kampioneve zhvillohet në ditë të martë e të mërkurë zakonisht dhe permban në të njëjtën ditë e orë shumë ndeshje futbolli. Nga gjithë ndeshjet e javës që zhvillohen në dy ditë, RTSH ka blerë dhe do të transmetojë vetëm një ndeshje, atë të së mërkurës.

Dhe sipas Vendimit te Keshillit Drejtues shuma që do paguajnë taksapaguesit shqiptarë dëshirën e shfrenuar të Thoma Gëllçit e çerrave të RTSH që i vijnë pas për të kënaqur oreksin e drejtorit sportiv te Partizanit, Olsi Rames është 1.800.000 Euro -Një milion e tetëqind mijë Euro. (600.000 X 3 sezone)

Por nuk është vetëm kjo shumë, pasi po të lexohet me kujdes vendimi, pas kësaj shume, ka këtë frazë, në të cilën fshihen të tjera euro: “…pa përfshirë këtu kostot për marrjen e sinjalit ndërkombëtar satelitor”. Me qëllim ose jo, këto kosto i janë fshehur këshillit drejtues. Njëri nga anëtarët e këshillit drejtues kur e pyetën dje në telefon, na u përgjigj “…ku marrim vesh ne mo, ça na sjell drejtori miratojmë e ikim, unë kam mbaruar arte…”

Sipas specialistëve që merren me të drejtat televizive, kostot teknike për të marrë sinjalin për një ndeshje arrijnë nga 25-30 mijë euro. Është pikërisht kjo shumë që “fshihet” në vendimin e Këshillit drejtues të Gellçit. Sikur të marrim apriori shumën 26 mijë euro, ta shumëzojmë me 18 ndeshje për sezon, i bie që shuma e përgjithshme e blerjes së një ndeshjeje në javë për tre sezonet të mos jetë 1.800.000 Euro por plot 3.204.000 Euro -Tre milion e dyqind e katër mijë Euro.

Pyetja nuk është më për Gëllçin e shpurën e tij të babëzisë, por për Edi Ramën, Gramoz Ruçin e Taulant Ballën, Mirela Kumbaron apo dhe Lulzim Bashën: Sa shtëpi të rrënuara nga tërmeti do të ndërtoheshin me 3.2 milion Euro?/Dosja.al

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re