3 mijë tifozë kanë elektrizuar pallatin e Sportit Tamara Nikolla në Korçë në ndeshjen e tretë finale të kampionatit kombëtar të volejbollit për femra.

 

Një atmosferë e tillë i ka kthyer korçarët 36 vite më parë në kohë atëhere kur ky pallat sporti mbushej me duelet e femrave Skënderbeu-Dinamo. Pas dy ndeshjeve të luajtura deri tani e para e fituar në Korçë nga Skënderbeu dhe tjetra në kryeqytet e fiituar nga Tirana.

 

Ndeshja e tretë ishte vlerësuar në maksimum nga të dy ekipet edhe për atë se fitorja e këtij takimi të çon më pranë titullit kampion. Në setin e parë vajzat e trajneres Amarilda Prenga kanë bërë gjithçka për të treguar se janë në gjendje të shkojnë tek trofeu, por pikërisht në pikët e fundit të këtij seti, korçaret kanë qënë më të sakta në lojën sulmuese e mbi të gjitha me kombinacionet në ato pikë përcaktuese. Set që ka përfunduar me rezultatin 27-25. Ndryshe ka qënë seti i dytë, kjo edhe për meritë të volejbollisteve të Skënderbeut ku gjata është bërë përcaktuese me lojën e saj në pozicionin 2, set i fituar me shifrat 25-17. Emocionet e forta janë rikthyer edhe një herë në setin e tretë, edhe një herë tjetër për meritë të Tiranës, që jo vetëm kanë përmbysur diferencën prej 8 pikësh por kanë qënë shumë afër fitores së këtij seti. Përvoja, cilësia dhe mbi të gjitha drejtimi professional i trajnerit Pandush Kapedani kanë sjellë edhe një herë kthesën në favor të korçareve që e mbyllin këtë set me rezultatin 25-22 dhe krejt takimin me shifrat 3-0.

Të dielën në kryeqytet luhet finalja e katërt. Skënderbeu duket më pranë titullit pasi i duhet vetëm një fitore ndërsa Tirana për të bërë një gjë të tillë duhet të fitojë në shtëpi por edhe në pallatin e Sportit “Tamara Nikolla”.