Juristja Brizida Gjikondi, e ftuar në Abc News, tha se autori i vrasjes së tre grave dhe plagosjes së tre të tjerave në Tiranë Dan Hutra duhet të ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Juristja theksoi se ai duhet të ishte dënuar përjetë për shkak të vrasjes së gruas së tij dhe përdhunimit të kunatës.

Juristja shprehu shqetësimin se rastet e dhunës në familje nuk merren seriozisht. Ajo shtoi se shteti duhet të ndërhyjë dhe të kontribuojë në edukim për të shmangur ngjarje të tilla.

“Hutra është pjellë e shoqërisë shqiptare. Është një shqiptar që ka kaluar fëmijërinë dhe rininë në ambient të dhunshëm. Të mendosh që ka vrarë bashkëshorten, ka përdhunuar kunatën edhe sot është i lirë, është një vrasje e paralajmëruar. Gruaja shqiptare shihet si objekt, ka edhe ajo pjesën e vet të mëkatit, por ne si shoqëri kemi stimuluar qenien si objekt.

Të mendosh se ai ka qenë i lirë sepse ka pranuar gjykim të shkurtuar për vrasjen e gruas së tij, përdhunimin. Ai në vend që të ishte me burgim të përjetshëm ai ka dalë. Ka pasur disa denoncime për dhunë në familje, edhe para një muaji dhe askush nuk e ka marrë seriozisht. Policia shqiptare është një polici maskiliste dhe përpiqemi të merremi me tragjedinë dhe pasojën por se si arriti të degradonte situata deri këtu.

Ke pafund gra të dhunuara në çdo cep të Shqipërisë që policia nuk i merr seriozisht. Jo vetëm kjo vrasje, por edhe shumë të tjera, gati të gjitha janë të paralajmëruara. Edhe korrespondetja po thoshte që edhe kur e kishte grabitur dhe plagosur më thikë nuk kishte pasur kurajo të tregonte në polici sepse nuk është marrë seriozisht. Këta njerëz me kartelë duhet t’i administrojë shteti.

Po të shihet ligji për dhunën në familje, ka detyra të sakta të policisë, ministrisë së brendshme, dhe nëse do të funksiononte do të kishim një panoramë tjetër sot. Ajo që ka ndodhur sot, autori në kohën e ’97 ka qenë adoleshent. Kemi një politikë të dhunshme, me gjuhë të dhunshme, një media që promovon konfliktin dhe gruan si objekt seksi. Kemi një dhunë dhe stimulim dhe ideolizim të njerëzve të dhunshëm.”, tha ajo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re