Edukatorja 27 vjeçare R.B, e arrestuar për ngjarjen tragjike të pak ditëve më parë në një kopsht privat, është lënë në burg. Vendimi është marrë nga gjykata e Fierit.

27 vjeçarja u arrestua një ditë pas tragjedisë, ku një fëmijë vetëm 3 vjeçar gjeti vdekjen në kopsht, në rrethana që ende mbeten të paqarta.

Edukatorja nuk është paraqitur fizikisht në Gjykatë këtë të martë, duke sjellë një dëshmi me shkrim, ku thuhet se ndodhet në kushte të rënduara psikologjike dhe do të përfaqësohet nga avokati i saj mbrojtës.

“Në radhë të parë, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të miturit. Jam shumë e ngarkuar psikologjikisht prej situatës në të cilën ndodhem.

Për këtë shkak nuk mund të marr pjesë në zhvillimin e seancës për vlerësimin e arrestimit dhe masën e sigurimit personal.  Kërkoj të përfaqësohem nga avokati im Y.Aj.” -ka shkruar në letër edukatorja.

Kujtojmë se një ditë më parë, nëna dhe familjarët e 3 vjeçarit të ndjerë, dolën para prokurorisë së Fierit në shenjë proteste, për të kërkuar zbardhjen e të vërtetës dhe vënien e drejtësisë. Familjarët nuk pranojnë argumentin se fëmija është mbytur aksidentalisht në një prej varesve në kopsht. (Foto më poshtë)

Sipas të dhënave të deritanishme, 3 vjeçari dyshohet se ka hipur mbi këtë raft për të marrë xhupin në varëse, por në rrethana ende të paqarta ka mbetur i varur nga pas në trikon që kishte veshur. Kjo situatë por edhe vonesa e ndërhyrjes së punonjësve, rezultuan fatale. Personi i parë që e ka gjetur fëmijën, ka qenë pikërisht edukatorja e cila mori sot nga gjykata masën e ‘arrestit në burg’.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re