Burime bëjnë me dije për Fax News se për 4 personat e ndaluar për vrasjen e Shkëlzen Velajt pak para mesnatës së kaluar në Vlorë, deri më tani nuk ka asnjë provë që i lidh me ngjarjen. Ata janë shoqëruar si persona ndaj të cilëve ka dyshime se mund të jenë përfshirë apo që kanë informacion, ndërsa këto dyshime lidhen me një ngjarje të vitit 2015 kur pas një sherri në kazino mbetën të vrarë Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, ky i fundit vëllai i Shkëlzenit.

2 persona të maskuar dhe me kallashnikov në duar e kanë ndjekur Velajn deri në banesë duke e ekzekutuar në derën e apartamentit ku jetonte me të ëmën. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar disa fragmente të lëvizjes së Velajt dhe autorëve që e ndjekin ndërsa po bëhet këqyrja e kujdesshme e tyre për të gjetur detaje që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.

Një burim i tha Fax Neës se në radhët e drejtuesve të bluve në Vlorë ka nisur prej rreth një muaj një debat në lidhje me ngjarjet e fundit kriminale që kanë ndodhur njëra pas tjetrës. Njëra palë kërkon më shumë angazhim të policisë në aksionet e parandalimit të ngjarjeve kriminale si ajo e të mërkurës në mbrëmje, ndërsa pala tjetër kërkon zbatimin e urdhërave nga Tirana për kontrollin e territorit për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike si dhe aksionet e ndërmarra së fundmi për ndërtimet pa leje në vijën bregdetare por edhe në zonat turistike.

Madje ka pasur edhe akuza dhe hipoteza nga këta të fundit, se pala tjetër po kërkon t’i lëshohet terren narkotikëve, ndërsa krimi ndaj jetës në fakt e ka kthyer shumicën e lagjeve dhe fshatrave të Vlorës në ‘lapidare’. Në këtë rast duke iu referuar të njëjtit burim, rreth 60% e policisë është angazhuar kundër kultivimit të drogës dhe ndërtimeve pa leje, duke i lënë terren dashje-padashje krimit ndaj jetës që ka marrë rrevansh.

Prezenca e bluve në qytet apo fshatrat përreth është në nivelet më të ulëta të mundshme ndërsa vihet re mungesa e mbajtjes në vëzhgim të eksponentëve me precedent apo me rekorde kriminale, duke bërë evidente lëvizjet e tyre të patrazuar ku bilanci mbetet në nivelin e hetimit pas ngjarjeve të cilat nuk ka kapacitete për ti parandaluar./Fatjon Gjinaj-Fax News

Për t’ju bashkuar faqes sone në Facebook, klikoni like

loading…

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re