Mediat italiane kane publikuar detaje tronditëse në lidhje me aktivitetet kriminale të organizatës së drogës  italo-shqiptare, si dhe përfshirjen e dyshuar te ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
 
Sipas “Meridonews” biznesi i drogës nga Shqipëria drejt Katanias në Itali drejtohej nga kushëriri i ish-Ministrit të Brendshëm shqiptar.
 
Në një nga këto takime Moisi Habilaj flet për kushëririn e tij politikan duke u shprehur se “30 mijë euro i duhet t’ia japë Saimirit”.
 
“Moisi Habilaj, kushëriri i Saimir Tahirit, në Sicili ishte ura kryesore lidhëse me trafikantët e mëdhenj të drogës të cilët mund të blenin me para në dorë qindra kilogramë marijuanë për ta shitur më pas në tregjet e drogës në Katania, Sirakuza e Raguza” – shkruan media italiane
 
Në Shqipëri ndaj kushëririt të Ministrit ka pasur shumë herë dyshime. Nuk është hetuar kurrë, nuk është arrestuar kurrë, por është fotografuar shumë herë me kreun e policisë kufitare në qytezën bregdetare të Dhërmiut – theksohet ne shkrim.
 
Hetimet e operacionit “Rosa dei venti” çuan në identifikimin e bashkëpunëtorëve të Habilaj në Itali, siç është italiani Antonino Riela, pika e referimit të Habilaj në Sicili në blerjen e drogës nga Shqipëria.
 
Sipas medias italiane, në nëntor të 2013 hetuesit italianë kanë monitoruar një takim mes Antonino Riela e vëllait të Moisi Habilaj, Florian Habilaj.
 
Takimi u bë në lagjen San Giorgio e Riela i kishte dhënë Florian Habilaj 30 mijë euro për një ngarkesë droge të humbur.
 
Qëllimi ishte rinisja e aktivitetit të trafikimit pas sekuestrimit të rreth 1650 kg marijuanë që u ishte sekuestruar një muaj më parë në tetor të 2013 në brigjet pranë portit të Augusteas në Sicili.
 
Në një përgjim tjetër nga policia italiane, Moisi Habilaj bisedon me pronarin e një karburanti në komunën Lentini:
 
“Nëse vjen në Shqipëri do ta kuptosh se policia është e korruptuar madje ka raste që është vetë kreu i policisë që ndihmon për të ngarkuar thasët me drogë. Bandës italo-shqiptare iu sekuestruan disa herë ngarkesa droge në Itali si 289 kg marijuanë të kapura nga autoritetet italiane në Palagonia, 900 kg në portin Risposto apo dhe një furgon plot me marijuanë i sekuestruar në qendrën tregtare “Porte di Catania”.
 
Pas këtyre sekuestrimeve Moisi Habilaj nisi bisedimet me anëtarët e bandës për të planifikuar transportimin e ngarkesave të tjera të drogës nga Shqipëria.
 
Politikani Tahiri, sipas medias italiane, është bërë i njohur edhe për makinën e famshme. Kushëriri, së bashku me një bashkëpunëtor Sabi Çelaj, mbërriti në Sicili në bordin e Audi zyrtarisht ende në pronësi të ministrit.
 
Ari jeshil i Ballkanit, shkruan media italiane, ishte vënë në dispozicion dhe të mafiozit të njohur Sebastian Sardo, sot bashkëpunëtor me drejtësinë italiane e dikur administrator i drogës për klanin mafioz katanez Capello.
 
Në një nga përgjimet e policisë italiane lexohet se grupi i shqiptarëve të jetë shprehur “se nëse nisim një ngarkesë për Sardon, mund të sjellim dhe kallashnikovë, le të vriten me njëri-tjetrin, ne nuk na intereson, ata i duan për vete armët.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re