Opozita PD-LSI rreth 30 minuta pas takimit me ambasadorët e BE-së, Britanisë dhe zv/ ambasadoren e SHBA-së kërkojnë që nesër të mblidhet Këshilli Politik për të diskutuar cështjen e nxehtë të listave dhe koalicioneve. Në këtë mbledhje, opozita thotë se do të prezantojnë kërkesën për marrjen e ekspertizës së OSBE/ODIHR për dy cështjet në fjalë, por që kundërshtohet nga shumica, që e cilëson lëvizjen si zvarritje të procesit.

“Në vijim të mbledhjes së ditës së hënë, me qëllim gjetjen e konsensusit për kërkesën e Opozitës së Bashkuar, për marrjen e ekspertizës së OSBE/ODIHR, për çështjet që nuk biem dakord në Këshillin Politik, siç parashikohet edhe në Marrëveshjen e 14 Janarit, kërkojmë:

Thirrjen e mbledhjes së Këshillit Politik nesër, e mërkurë, në orën 10:00. Në këtë mbledhje Opozita e Bashkuar do të prezantojë kërkesën për marrjen e ekspertizës së OSBE/ODIHR. Përsa më lart, mbetemi në pritje të konfirmimit tuaj për mbledhjen e ditës së nesërme” shkruan Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.

Shumica socialiste i la afat opozitës që deri ditën e premte të çojë platformën me sugjerimet për hapjen e listave dhe koalicionet, në të kundërt paralajmëroi se do i miratonte e vetme ndryshimet në Kodin Zgjedhor për të reflektuar ndryshimet në Kushtetutë që u bënë në fund të korrikut.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re