Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kujton çdo individ rezident në Republikën e Shqipërisë, i cili përfiton të ardhura me burim brenda dhe jashtë vendit, në shumën mbi 2 milionë lekë në vit se është i detyruar të paraqesë deklaratën individuale vjetore të të ardhurave brenda datës 30 prill.

Deklarata individuale vjetore e të ardhurave është e detyrueshme të paraqitet gjithashtu edhe nga individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën mbi 2 milionë lekë.

Sipas DPT, individët janë të detyruar të deklarojnë të ardhurat e tatueshme bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit; nga dividenti; nga qiraja; ngafitimi kapitali nga shitja e pasurisë së paluajtshme në pronësi të deklaruesit; nga interesat bankare; nga investimet në tituj apo nga pasuri të paluajtshme.

Po ashtu, deklarimi duhet të bëhet për shumën bruto të fituar nga lotaria apo lojëra të tjera të fatit; nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuritë e tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike; fitimi kapitali nga dhurimi; të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë si dhe të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart.

DPT tërheq vëmendjen se plotësimi i pasaktë i deklaratës individuale vjetore të të ardhurave mund të shkaktojë vendosjen e penaliteteve për individin deklarues.

Lidhur me shpenzimet e zbritshme, DPT kujton se “përfitojnë zbritjen e shpenzimeve tatimpaguesit, të cilët nuk janë subjekt i deklarimit dhe kanë të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet deri në shumën 1 050 000 lekë në vit, por jo më të lartë se kjo shumë, të cilët mund të jenë subjekte deklaruese”.

Deklarimi i të ardhurave, përveç se është detyrim ligjor, i çdo individi subjekt i deklarimit, është edhe një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re