Maqedonia e Veriut festoi 31-vjetorin e pavarësisë nga Federata Jugosllave.  Kryeministri Dimitar Kovaçevski u shpreh se qeveria po punon në realizimin e qëllimeve strategjike të vendit, siç është anëtarësimi në Bashkimin Europian.

 

DIMITAR KOVAÇEVSKI

 

KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT

 

Ne shpallëm pavarësinë 31 vjet më parë, qytetarët deklaruan në referendum për Maqedoninë e lirë, sovrane, të pavarur , që atëherë kemi punuar për arritjen e qëllimeve strategjike. Në kohën e formimit të shtetit, ne zgjodhëm anëtarësimin në NATO dhe BE. Gjatë rrugës, na u desh të merrnim edhe vendime të vështira.

 

Kovaçevski shtoi se pavarësisht çdo sfide, Maqedonia e Veriut ka ditur të ec përpara dhe se synimi i radhës i qeverisë së Shkupit është anëtarësimi në union deri në 2030.

 

DIMITAR KOVAÇEVSKI

 

KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT

 

Në vitin 2001 kemi pasur një konflikt në vend, por me ndihmën e dialogut, unitetit, sjelljes racionale dhe largpamësisë sot jemi një vend që kemi zgjidhur të gjitha çështjet e hapura edhe me fqinjët. Ne jemi një vend i konsoliduar në kuadrin ndërkombëtar, anëtar i NATO-s dhe deri në vitin 2030 do të bëhemi edhe anëtarë të BE-së.

 

Sipas Kovaçevskit këto arritje të mëdha janë të vetë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, politike apo sociale.

 

Edhe presidenti Pendarovski uroi ditën e pavarësisë duke bërë thirrje për unitet dhe përgjegjësi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re