Një diamant i madh në formë ovale i vendosur në unazë, “Pink Promise” u shit sot në ankand nga shtëpia Christie’s në Hong Kong për 32,16 milionë dollarë.
Guri prej 14,93 karat shkoi për një blerës të paidentifikuar, i cili mori pjesë në ankand nëpërmjet telefonit.
Sipas shtëpisë së ankandave “Christie’s”, bëhet fjalë për çmimin e dytë më të lartë për karat për një diamant pas atij të arritur nga “Vivid Pink” (pesë karat) shitur në Hong Kong në vitin 2009 për 10,78 milionë dollarë.
Guri nuk ka arritur vlerësimin e bërë nga shtëpia e ankandeve, që ishte 42 milionë dollarë.
“Ky ishte një çmim shumë i lartë”, theksoi François Curiel, president i Christie’s për Evropën dhe Azinë, pas shitjes, përcjell Atsh.
“Kjo tregon se Hong Kongu është një qendër shumë e rëndësishme për stolitë”, shtoi ai.
Lufta antikorrupsion në Kinën kontinentale nuk ka ndikuar në ankandet shumë dinamike në Hong Kong.
Në muajin prill, një diamant i kuq i madh “Pink Star” propozuar nga “Sotheby’s” (59,60 karat), theu rekordin botëror për një gur të shitur në ankand duke arritur vlerën e 71,2 milionë dollarëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re