Në Itali e njohin si “Robinson Kruzoja”, pasi ky 81 vjeçar ka jetuar 30 vitet e fundit të jetës së tij i vetëm në një ishull fare të vogël të Mesdheut (në Itali).

Mauro Morandi po lundronte atje pranë më 1989 me katamaran me qëllim daljen në oqeanin Paqësor. Katamarani iu prish dhe si një kthesë fati, ai mësoi se ‘kujdestari’ i ishullit Budelli (fare pranë Sardenjës) do të dilte në pension. Morandi vendosi të qëndrojë në ishullin e njohur për plazhin me rërën rozë dhe të marrë detyrën e kujdestarit.

Për 30 vite ai ka qenë kujdestari i ishullit, derisa tanimë autoritetet kanë kërkuar largimin e tij. Morandi jetoi në një strehë të krijuar në ishull në kohën e Luftës së Dytë Botërore.

Morandi u shpreh për median e huaj se ka ndërmend t’i bindet thirrjes për t’u larguar nga ishulli, pasi autoriteti i cili menaxhon ishullin që prej 2016, tha se kërkon ta kthejë Budelli-n në një park.

“Kam hequr dorë nga beteja… pas 32 vitesh, ndihem i keqardhur që do të iki. Ata (autoriteti menaxhues) më thanë se duhet të bëjnë disa punime tek shtëpia ku jetoj”-tha Morandi.

Autoritetet e parkut kombëtar kanë argumentuar se kërkesa për largimin e tij vjen pasi 81 vjeçari ka bërë disa ndryshime në shtëpizën, pa marrë asnjë leje.

Vetë i moshuari, me origjinë nga Modena, tha se do të lëvizë në një apartament të vogël pranë La Maddalena, ishulli më i madh i arkipelagos.

“Jeta ime nuk do të ndryshojë dhe aq shumë, detin do të mund ta shoh sërish”-tha 81 vjeçari, i cili shtoi se “shpresoj që ishullin ta ruajë dikush, njëlloj siç bëra unë”

Për dekada me radhë, Morandi ruajti ishullin, pastroi rrugët e mbajti të pastra plazhet e virgjëra, e madje u tregoi vizitorëve ekosistemin e Bodelli-t.

Roli si kujdestar i ‘Robinson Kruzosë’ u vu në rrezik pasi kompania private që zotëronte ishullin, shpalli falimentin. Planet e pronarit (nga Zelanda e Re) për ta shitur ishullin më 2013, sollën protesta dhe ndërhyrjen e qeverisë italiane. Më 2016, një gjykatë në Sardenjë, vendosi që ishulli i vogël të kalonte si pronë publike.

Që prej vitit 1990 në ishull nuk është lejuar ardhja e turistëve për të bërë plazh apo qëndruar. I vetmi turizëm i lejuar ka qenë shkuarja dhe të parit e ishullit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re