Përmes një ceremonie të veçantë ku merrnin pjesë miq,familjarë, përfaqësues institucionesh dhe qytetarë të Kukësit, është përkujtuar 33- vjetori i varjes në litar të poetit kuksian, Havzi Nela. Bashkëshortja e poetit të vrarë nga regjimi komunist Havzi Nela, Lavdie Nela kërkon nga shteti shqiptar drejtësi dhe zbardhje të historisë së tij.

Në 33-vjetorin e vdekjes së tij, Lavdie Nela shprehet se ende asnjë institucion drejtësie apo qeveri nuk ka bërë asgjë për të zbardhur dhe çuar para drejtësisë urdhëruesit e varjes së poetit dhe se SPAK duhet të hapë dosjet.

“Martir i demokracisë, simbol i lirisë,me 10 gusht dikatura komuniste e vari dhe drejtësia akoma nuk e ka thënë fjalën e saj sepse nuk i ka dërguar kriminelët para drejtësisë. I kërkojmë SPAKUT të bëjë veprimet e duhura që drejtësia të vihet në vend, Kristaq Rama asokohe bashkë me Ramiz Alinë dhe shumë emra të tjerë dqë kanë firmos për varjen e tij.

Në cdo aktivitet kam qenë e pranishme dhe kam kërkuar drejtësi“-u shpreh bashkëshortja.

Përfaqësues i Unionit të të Dënuarve Politik tha se misioni i Havzi Nelës është i gjallë akoma ndersa politika shqiptare ka vdekur dhe në një vend ku nuk vihen kriminelët para drejtësisë ateherë krimi do të përsëritet.

“Politikë ka punuar 30 vite që emri i Havzi nelës dhe ai sot është nderi i kombit. Më shumë ka rëndësi ceremonia përkujtimore sepse sic thotë i madhi Ismail Kadare, poeti është i qetë në botën e amshuar por në shoqërinë shqiptare nuk janë dënuar këto krime, nuk është bërë një ligj për të dënu kriminelët komunistë dhe po sundojnë pasardhësit e tyre.

Mesazhi i poetit ishte që ma mer mendja që do dalim gjallë por ne nuk do hakmerremi do kërkojmë paqe, tani shtroj pyetjen politika shqiptare a është përgjigj paqes së tij apo urrejtjes?

Havzi Nela dhe misioni i tij është gjallë por politika shqiptare ka vdekur. Në një vend ku nuk dënohet krimi, ai përsëritet, sot e gjithë Shqipëria duhet të ngrinte flamurin në gjysëm shtize për nderin e Havzi Nelës, kryetari i shtetit duhet të ishte në Kukës sepse është dënimi më makabër që ka ndodhur në Europën Juglindore pas rënies së komunizmit. ”

Havzi Nela njihet si një prej poetëve dizidentë, të cilin diktatura komuniste e internoi dhe më pas e vrau. Në 22 maj të 1967-ës ai u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalimin në Kosovë, ndërsa gruaja e tij u dënua me 10 vite burg. U lirua më 19 dhjetor 1986, por vetëm për një kohë të shkurtër.

Në tetor 1987, ai u arrestua dhe internua në fshatin Arrën, ndërsa gjykata vendosi që ta varte Nelën, me motivin ‘tradhëti e lartë’ ndaj vendit. Dënimi me vdekje u miratua nga anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor të drejtuar nga Ramiz Alia.

Më 10 gusht 1988, në orën 02:00 të mëngjesit, ai u ekzekutua me varje në mes të Kukësit, ku dhe lindi. Pasi u ekspozua gjatë gjithë ditës së 10 gushtit, u varros vertikalisht në vrimën e krijuar nga heqja e një shtylle.

(E.D/faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re