Borana Demiri

 

Gazetare, Vizion Plus

 

“”E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, me këtë thirrje, studentët u nisën nga ky shesh, për të vijuar 33 vjet më parë, lëvizjen e tyre kundër regjimit komunist.”

 

Protagonistë të kësaj kthese në histori, që do të kulmonte me rrëzimin e sistemit diktatorial, gati 5 dekadash, e konceptojnë ditën e rinisë si një moment të rëndësishëm reflektimi.

 

“Ishte një lëvizje e cila lindi nga pakënaqësia popullore e grumbulluar në bijtë e vet siç ishin studentët. Dy parullat kryesore ishin “Liri, demokraci, jo më vonë por tani” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, kulmoi me 10 kërkesat e studentëve ku pika më energjike ishte pikërisht pluralizmi.”, tha Ilir Dizdari, ish student i dhjetorit 1990.

 

Mimoza Ferraj kujton se guximi që bëri bashkë studentët buronte nga ëndrra për demokraci, që nuk ishte vetëm e të rinjve, por e të gjithë shoqërisë.

 

“Rinisë së sotme, njësoj si atëherë kur i’u drejtuam më një zë të përbashkët, i them që të mos marrë rrugët e emigracionit. Kthehuni mbrapa në shtëpi dhe realizoni demokracinë e vërtetë për të cilën ne luftuam 33 vjet më parë.”, deklaroi Mimoza Ferraj, ish studente e dhjetorit 1990.

 

Protestat e studentëve në dhjetor të vitit 1990 nisën fillimisht si rebelim kundër fikjes së dritave dhe kushteve të vështira ekonomike që po përjetonte vendi në atë kohë.

 

Marshimi paqësor, ku u bashkuan edhe mijëra qytetarë, ndeshi në rezistencën e forcave të shumta të policisë dhe shoqërisë civile, duke u pasuar me incidente të dhunshme.

 

Kjo do të bënte që në datë 11 dhjetor, sekretari i parë i partisë së punës, Ramiz Alia të priste në takim, një përfaqësi të të rinjve duke pranuar kërkesën e  tyre për vendosjen e pluralizmit politik. Kështu u hap rruga për krijimin e partive të reja politike.

 

8 dhjetori është festë kombëtare që nga viti 2009, ndërsa sot largimi i të rinjve nga vendi është një fenomen  shqetësues për të ardhmen./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re