Vetëm në javën e parë të këtij muaji janë 35 persona që kanë humbur betejën me jetën si pasojë e COVID-19.

Që nga fillimi i këtij muaji, shifrat e mortalitetit kanë qenë të larta. Të hënën janë raportuar tre humbje jete, ndërsa në total numri i personave që kanë ndërruar jetë si pasojë e kësaj sëmundjeje ka shkuar në 319.

“Me gjithë përpjekjet e mjekëve dhe infermierëve në dy spitalet Covid, betejën me këtë virus të rrezikshëm nuk e ka fituar një 75-vjeçar dhe një 76- vjeçare nga Durrësi, dhe një 91- vjeçar nga Tirana”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë.

Edhe pse ishte thënë që në javën e tretë të muajit gusht se do të niste trajtimi i pacientëve me plazmë, ekspertët kishin ngritur dyshime se ende në spitalet tona nuk kishte nisur të aplikohej një metodë e tillë.

I kontaktuar nga Panorama, mjeku infeksionist Pëllumb Pipero konfirmoi se në Spitalin Infektiv ka nisur trajtimi i të sëmurëve me plazmë.

SITUATA NË SPITAL

Aktualisht, në dy spitalet COVID numri i të shtruarve ka shkuar në 206. Por kjo rënie nuk ka ardhur se kanë munguar shtrimet e reja, por sepse është reduktuar numri i pacientëve të negativizuar që qëndronin të shtruar për të kuruar pasojat e sëmundjes.

Lidhur me shtrimet e reja, në dy ditët e fundit vihet re se ka pasur rritje.

“Në Spitalin Infektiv dhe ‘Shefqet Ndroqi’ po trajtohen 198 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID19, 21 në terapi intensive, nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.

jithashtu, në dy spitalet COVID janë duke marrë shërbim të specializuar 8 qytetarë, të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes”, shpjegoi Eugena Tomini një ditë më parë.

RASTET E REJA

Në dy ditët e fundit ka pasur një rritje të numrit të rasteve ditore, të konfirmuara pozitive më COVID-19, ndërsa shifrat pritet të përkeqësohen edhe më tej me fillimin e vitit të ri shkollor. Dje, nga 824 teste të kryera kanë rezultuar pozitivë 151 persona.

Krahas Tiranës, një numër të lartë rastesh ka pasur edhe në Kavajë, Fier dhe Elbasan.

Në Elbasan mësohet se në mesin e të infektuarve është edhe një mësuese. Ndërsa në Korçë dje është raportuar vetëm një rast, ndonëse të dielën ishin 8 të burgosur në Burgun e Drenovës, që kishin rezultuar të infektuar.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 824 testime për të dyshuar të prekur nga COVID-19, ku përfshihen edhe testime të kryera në laboratorët jopublike dhe janë identifikuar 151 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 71 raste në Tiranë, 12 raste në Kavajë, 10 raste në Fier, 9 raste në Elbasan, 8 raste në Shkodër, 5 raste në Durrës, Lushnje, nga 4 raste në Divjakë, Fushë-Arrëz, Gramsh, nga 3 raste në Berat, Librazhd, Sarandë, 2 raste në Kukës, Gjirokastër, 1 rast në Krujë, Korçë, Has, Mallakastër, Kamzë, Pogradec”, tha Tomini, e cila apeloi për respektim të masave anti-Covid në ambientin e punës dhe në institucionet arsimore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re