Koncerti i reperit amerikan Kanye West, i planifikuar të mbahet të shtunën në Tiranë, është shndërruar në një nga temat më të debatueshme në Shqipëri, mes polemikave për financimin e tij dhe figurës kontroverse të artistit.

Sipas raportimeve, qeveria shqiptare ka përdorur mbi 4 milionë euro nga fondi i rezervës së shtetit, i destinuar zakonisht për emergjenca dhe fatkeqësi natyrore, për të mbuluar kostot e organizimit të koncertit, pasi shitjet e biletave nuk kanë përmbushur pritshmëritë.

Kjo ka sjellë edhe më shumë revoltë, ndërsa qytetarët protestojnë prej 40 ditësh dhe kërkojnë largimin e kryeministrit.

Kryeministri Edi Rama e kishte prezantuar koncertin si një ngjarje që do të sillte mijëra turistë të huaj në Shqipëri, veçanërisht nga Italia, pas anulimit të performancës së Kanye West në Reggio Emilia, shkruan media italiane.

Sipas tij, eventi pritet të ketë ndikim pozitiv në ekonominë shqiptare dhe të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme për bizneset vendase.

 

In Albania c’è grande agitazione attorno a un concerto di Kanye West previsto per sabato 11 luglio a Tirana, la capitale. L’idea di attirare turisti stranieri si è trasformata in un mezzo disastro, in un momento complicato per il primo ministro Edi Ramahttps://t.co/AGKXnOlHlA

— Il Post (@ilpost) July 10, 2026

Megjithatë, vendimi ka nxitur reagime të forta nga protestuesit, të cilët e akuzojnë qeverinë se po përdor fondet publike për një aktivitet argëtues, ndërsa vendi përballet me probleme sociale dhe ekonomike.

Debati është thelluar edhe për shkak të figurës së Kanye West. Reperi amerikan ka qenë në qendër të kritikave ndërkombëtare për deklaratat e tij antisemite dhe pro-naziste, ndërsa gjatë viteve të fundit disa shtete evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Zvicrën, Poloninë dhe Australinë, kanë anuluar koncertet e tij ose i kanë refuzuar hyrjen.

Ndërkohë, në Shqipëri protestat kundër qeverisë kanë vijuar prej javësh, fillimisht për shkak të projektit të një resorti luksoz në zonën e mbrojtur të Sazanit, të lidhur me kompaninë e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump.

Për protestuesit, financimi i koncertit është një tjetër shembull i përdorimit të parave publike për projekte që, sipas tyre, nuk përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka mbrojtur vendimin, duke deklaruar se ndërhyrja e qeverisë ishte e nevojshme për të shmangur anulimin e koncertit dhe për të mos dëmtuar imazhin e Shqipërisë.

Ai ka theksuar se priten rreth 25 mijë vizitorë të huaj dhe se eventi mund të sjellë përfitime të rëndësishme ekonomike.

Megjithatë, mediat shqiptare raportojnë se numri i biletave të shitura ka qenë më i ulët se parashikimet fillestare, ndërsa ditët e fundit janë shpërndarë oferta promocionale dhe bileta falas për të rritur pjesëmarrjen në koncert.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re