Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi mbrëmë dy dekrete që njohin rajonet ukrainase të Kherson dhe Zaporozhye si republika të pavarura. Lëvizja erdhi pasi legjislacioni rus nuk lejon që territore të vendeve të tjera të bëhen pjesë e Rusisë, por rajonet e pavarura po: ndaj tashmë pengesa ligjore është tejkaluar dhe këto vende mund të bashkohen me Federatën Ruse.

Në dekret thuhet se Rusia njeh sovranitetin dhe pavarësinë e rajoneve Kherson dhe Zaporozhye. Sipas Kremlinit për këtë dekret Putini iu referua parimeve dhe normave të së drejtës ndërkombëtare që popujt kanë të drejtën e vetëvendosjes, e sanksionuar në kartën e OKB-së.

Tashmë dokumenti i nënshkruar nga Putin do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese të Rusisë. Dhe më pas është Duma ruse ose dhoma e ulët e parlamentit që do të duhet të ratifikojë marrëveshjet, të cilat më pas do t’i dërgohen Këshillit Federal, për pranim të këtyre territoreve brenda Rusisë.

Dekreti i Putinit erdhi pak orë para se në Kremlin të mbahet ceremonia shtetërore për përfshirjen e rajoneve të Kherson dhe Zaporozhye, si dhe dy republikave te Donbass dhe Luhansk, në Rusi.

Por pavarësisht vendimeve të Moskës, këto rajone nuk kanë asnjë shans të njihen si pjesë e Rusisë. Perëndimi ka bërë të qartë se referendumet janë false, e të njëjtin linjë pritet të ndjekin edhe aleatët e Moskës si Kina dhe India, të cilat i frikësohen referendumeve për pavarësi të Tajvanit dhe Kashmirit.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë