Katër janë rastet e reja me koronavirus në Shqipëri. Shifrën e bëri të ditur ekspertja e ISHP, Silva Bino në një dalje për mediat. Në këtë mënyrë, numri total i të infektuarve është 55.

 

Të katër rastet e reja janë regjistruar në Tiranë, duke e çuar kështu kryeqytetin me 38 raste. Kontaktet e tyre janë vetëizoluar dhe po monitorohen. Dy prej të infektuarve janë personel shëndetësor.

 

“25 janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Lushja dhe Rrogozhina). Prej tyre janë në terapi intensive tre qytetarë, njëri prej të cilëve në respiracion të drejtuar.  Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Pas hetimit të hollësishëm epidemiologjik në spitalin “Shefqet Ndroqi”, kanë dalë pozitiv edhe 2 raste personel shëndetësor që kanë qenë në kontakt me pacientin, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin infektiv dhe që, më herët ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Nga hetimi i kryer, janë testuar 89 personel shëndetësor në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe prej tyre kanë rezultuar 8 mjekë dhe infermierë pozitivë. Duhet thënë që të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëkarantinuar.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re