Fermerët e Maliqit të cilët janë përballur me dy përmbytje brenda dy muajve kërkojnë dëmshpërblime për dëmin e pësuar.

Të revoltuar ata i janë drejtuar Këshillit Bashkiak të Maliqit ku me tone të ashpra kanë kërkuar llogari për mungesën e përgjigjeve dhe mbështetjes për situatën në të cilën gjenden.

Edhe pse Këshilli Bashkiak i Maliqit kishte thirrur një mbledhje jashtë radhe për të diskutuar në lidhje me situatën e përmbytjeve të nëntorit, shumica e këshilltarëve nuk mori pjesë duke bërë që të mos sigurohet kuorumi i nevojshëm për të zhvilluar këtë mbledhje por fermerët nuk hezituan për të shfaqur revoltën e tyre.

Teksa përplasnin duart në tavolina në shenjë proteste ata kërkuan përgjigje sa i takon dëmshpërblimeve për dëmet që kanë pësuar në nëntor.  Në mbështetje të tyre janë shprehur edhe këshilltarë të opozitës.

Përfaqësues të Këshillit Bashkiak sqaruan se evidentimi i dëmit është bërë dhe dokumentacioni i është dërguar ministrisë së linjës por ende nuk ka një përgjigje.

Pas dëmeve të shkaktuara si pasojë e përmbytjeve gjatë nëntorit të vitit të kaluar, çarja e argjinaturës së lumit Devoll pak ditë më parë bëri që mijëra hektarë sipërfaqe tokë bujqësore të jenë nën ujë dhe fermerët të pësojnë dëme kolosale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re