Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar në Kuvend një projektligj, ku kërkon që të ngrihet Struktura e Posaçme e Policisë së Burgjeve, e cila do të shërbejë në regjimin e ashpër “41 Bis”.

Sipas projektligjit të depozituar, efektivët e policisë që do të jenë pjesë e strukturës së posaçme jo vetëm do mbikëqyrin të dënuarit e rrezikshëm të organizatave kriminale që do të mbyllen në “41 Bis”, por ata do të jenë njësia kompetente që do të ruajnë edhe zyrtarët e burgjeve në rast të kërcënimit të tyre nga anëtarë të grupeve kriminale, që ndërkohë mund të kenë shefat në qeli.

Por ndërsa qelitë e posaçme të “41 Bis” janë bërë gati, duket se fryma e këtij regjimi të ashpër i ka bërë më të kujdesshëm të fortët në burgje, të cilët pas hapjes së ambienteve ku do izolohen, kanë marrë masat e tyre dhe po tregohen më të kujdesshëm në komunikim me anëtarët e grupeve jashtë burgut.

Po ashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i ka propozuar Ministrisë së Drejtësisë për policët që do shërbejnë në “41 Bis”, të trajtohen me paga të diferencuara krahasuar me efektivët e tjerë në burgje.

Paga e sugjeruar pritet të jetë 35 mijë lekë më tepër nga të tjerët, jo vetëm për shkak të shkallës së rrezikshmërisë, por edhe për t’i bërë këta policë të pakorruptueshëm. Llogaritet që si fillim në 41 Bis të angazhohen 94 efektivë policie.

Pak kohë më parë drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve Agim Ismaili u shpreh se çdo punonjës që do të angazhohet në 41 Bis do t’i nënshtrohet veting-ut. “Ata do të jenë elita, kemi zgjedhur më të mirët”, deklaroi drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili pak kohë më parë.

Megjithatë, projektligji për Policinë e Burgjeve përmend ngritjen e rrogës edhe për efektivët e tjerë në burgje, si edhe ndryshim të sistemit të gradave, por edhe mënyrës si do rekrutohen.

Në projektligj, përfshihet si kriter ndalues, konkurrimi i çdokujt që është larguar nga veting-u i Policisë së Shtetit. Po ashtu, pak kohë më parë është bërë me dije se këtij regjimi do i nënshtrohen 270 të dënuar ose që janë në proces gjykimi, që dyshohet se mbajnë kontaktet me botën e krimit jashtë hekurave. (sot)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re