Drande Xhaj është një prej aktoreve me karrierën më të gjatë e të pasur në zhanrin e komedisë (humorit), me plot 42 vite në skenë. Megjithatë e ftuar mëngjesin e sotëm në puntatën e fundit të emisionit “Rreze Dielli” në Report Tv, një ndër emrat më të dashur në listën e gjatë të artistëve shqiptarë u shpreh se propozimi që ajo të marrë titullin “Mjeshtre e madhe” ka dy vite që rri në tavolinën e Presidencës, por, sipas saj akoma nuk e kanë parë të arsyeshme që Xhaji ta ketë këtë titull.

“Ka gati 2 vjet që kam propozimin e Këshillit të qarkut Shkodër, drejtorisë së Tetrit Migjeni, në Presidencë për të më akorduar titullin “Mjeshtre e Madhe”. Nuk e di se çfarë presin, por ndoshta presidenti paraardhës, i lëshoi pak si shumë titujt dhe aty janë dekoruar, pa dashur të gjykoj asnjë, se të gjithë kanë talentet e veta, por janë dekoruar artistë që kanë karrierë 10-12 vjeçare, ose artistë që nuk e di se ku e kanë bërë atë karrierë.

Unë, vetë fakti që kam rezistuarr në Teatrin Migjeni, një nga teatrot elitë të Shqipërisë për 42 vjet me rradhë, nuk e kanë parë hala të arsyeshme, nuk e di ça me thanë. Uroj të më dëgjojë Presidenti i Republikës.”, ka thënë aktorja në studion e “Rreze Dielli” Vetë Drande xhaji numëron dhjetra role e karaktere, e megjithëse ka dalë në pension nuk ka hequr dorë nga pasioni e dashuria e madhe që ka për artin e sidomos për skenën e teatrit.

Gjatë bisedës në studion e “Rreze Dielli”, ajo ka evidentuar me keqardhje edhe faktin se sa pak aktorë të rinj ka sot, sidomos sa i pëket humorit. “Problem shumë i madh, sidomos trupa e dramës. Ka aktorë të rinj dhe që janë të talentuar por në trupën e humorit është një krizë e jashtëzakonshme. më vjen keq sepse trupa e Komedisë së Shkodrës ka qenë e fundit trupë e kopmletuar me orkestër, me këngëtarë profesionistë edhe me aktorë.

Unë sot kam 2 vjet që kam dalë në pension, paçka se aktivizohem, ka mbetur vetëm 1 aktor profesionist, nuk ka prurje të reja. Ndoshta edhe ne kemi defektet tona, por duhej menduar sepse është një krim, pasi Shkodra njihet si qyteti i humorit.”, u shpreh më tej aktorja.

 

a.k./G.M./Shqiptarja.com

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re