Prej 20 vitesh punonte në Itali (Campania). Me origjinë vinte nga Maroku. Rahal Amari ishte 42 vjeçar dhe arriti të kryejë një akt të madh heroik, para se zemra e tij të pushonte së rrahuri.

Media italiane ka bërë me dije se 42 vjeçari ka arritur t’i shpëtojë jetën dy prej 4 fëmijëve që rrezikonin të mbyteshin në det, në zonën e Castel Volturno-s (Caserta). Siç shkruan Corriere della Sera, 42 vjeçari ishte i pari i cili dëgjoi thirrjet për ndihmë të fëmijëve në det e po ashtu i pari që hyri në ujë për t’i shpëtuar. Roja bregdetare ndërkohë vrapoi të vinte në det gomonen e shpëtimit.

Dy prej 4 fëmijëve të vegjël, në pamundësi për të dalë në breg prej rrymave të forta të detit, u shpëtuan nga 42 vjeçari. Amari arriti të marrë një prej fëmijëve dhe e nxorri i vetëm në bregun e detit. Një peshkatar që ndodhej atje pranë me varkë kuptoi ngjarjen e shkoi të ndihmojë fëmijën e dytë, i cili ndodhej ende në ujë e po tërhiqej nga rrymat. Ndërkohë 42 vjeçari u hodh sërish në det e nisi t’i drejtohet fëmijës, por aty ndodhi tragjedia. Amari nisi të zhytej në ujë. Peshkatari nxorri në breg fëmijën e dytë, ndërsa roja bregdetare 42 vjeçarin.

Dy fëmijët e tjerë (sipas Corriere ishin 4 fëmijë në ujë) arritën të dalin vetë nga deti.

Ambulanca mbërriti në vendin e ngjarjes dhe tentoi të rianimojë 42 vjeçarin, por ishte shumë vonë. Nga ajo që shkruan media italiane, burri nga Maroku ndërroi jetë për shkak të një goditje në zemër.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re