Gazetari Julian Hoxhaj, i ftuar në nje studio televizive, foli mbi krizën e fuqisë blerëse të shqiptarëve dhe rritjen e kostos së jetesës, duke nxjerrë në pah një realitet shqetësues për familjet vendase.
Ai u shpreh se shporta e ushqimeve po boshatiset për shkak të TVSH-së së lartë, që arrin 20% për produktet bazë, dhe zhvlerësimit të euros, duke goditur direkt ata që varen nga remitancat.
Gazetari theksoi se, pjesa më e madhe e të ardhurave të një familjeje shkon për ushqime dhe nevoja bazë, ndërsa shpenzimet për qiraja, energji, arsim dhe shëndetësi bëhen gjithnjë e më të papërballueshme.
Hoxhaj gjithashtu shtoi se rreth 44% e familjeve shqiptare ndodhen në një gjendje mbijetese, ndërsa krahasimi me vendet fqinje tregon se politika fiskale e qeverisë po penalizon direkt qytetarët dhe po redukton mundësinë e tyre për një standard jetese dinjitoz.
Pjesë nga deklarata:
Shqiptarët edhe shëndetësinë, pavarësisht se supozohet se një seri shërbimesh janë dhënë me koncesion dhe duhet të merreshin falas, përsëri e paguajnë deri në 60% sipas të njëjtave raporte. Por dua të ndalem te kjo pjesë, sepse praktikisht shqiptarët në përgjithësi, nga të gjitha raportet, jo vetëm nga ky i Bankës Botërore, por edhe analiza e INSTAT, pjesa më e madhe e të ardhurave të tyre shkon për ushqimin.
Që do të thotë ushqimi e merr pjesën më të madhe të të ardhurave, jo sepse shqiptarët hanë më mirë, por sepse pikërisht është kostoja e lartë e ushqimeve që paguajnë sot shqiptarët. Unë po shihja sot për shkak të emisionit, po shihja pak TVSH-në e ushqimeve në vendet e rajonit. Si jemi ne në vendet dhe e kam provuar edhe vetë të paktën në Greqi dhe në Kosovë, që TVSH-ja e ushqimeve, për shembull, shteti grek, që është vend i Bashkimit Europian, e ka 13%.
13% për ushqimet bazike, për këto ushqime dhe për disa të tjera, pra për ushqimet e shportës. Shkon edhe më gjerë Greqia sepse përfshin pije, fruta. Patjetër, pra këtë po thoja, që ka disa pije, përjashto alkoolin, cigaret e të tjera, pra janë me 13% dhe madje ka edhe raste përjashtimore kur TVSH-ja ulet deri në 6% kur bëhet fjalë për situata krizash apo situata të veçanta. Kemi Kroacinë që është gjithashtu vend i Bashkimit Europian që është pak a shumë në të njëjtat nivele. Kemi Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Bosnje Hercegovinën që vjen pas nesh në fakt, që e ka 17%, por që janë vende që praktikisht e kanë TVSH-në e ushqimeve shumë më ulët sesa Shqipëria.
Çfarë do të thotë? Që në këto vende, kushdo nga ne, edhe mund ta ketë provuar, kur shkon nëpër markete, ka mundësi që me ato para që merr, që ka në dispozicion, mund të blejë një sasi më të madhe produktesh sesa në Shqipëri, për shkak sepse shteti i merr më pak taksa. Kurse tek ne, shteti i merr më shumë taksa. Elementi tjetër është që ekonomia shqiptare është deformuar. Çfarë dua të them me këtë? Dua të them që prishja e strukturës së ekonomisë për shkak të fenomeneve negative të korrupsionit, të parave të pista që hyjnë në mënyrë ilegale në Shqipëri apo në forma të ndryshme, ka injektuar në ekonomi para masive duke zhvlerësuar euron.
Duke e ditur që shumë familje shqiptare mbijetojnë me remitancat, pra të ardhurat e tyre kryesore janë remitancat, për shkak të kursit të euros, zhvlerësimit të euros, sot qytetarët shqiptarë, domethënë edhe po t’ua llogarisim me euro nivelin e të ardhurave, edhe nëse ato do të rriteshin në një farë mënyre, përsëri vlera monetare apo vlera reale e parasë që ato kanë në duar është shumë më e ulët sesa e disa viteve më parë, që do të thotë përsëri edhe me të njëjtën shumë eurosh, pra 100 euro nëse do të supozojmë në krahasim me 10 vite më parë, ato sot mund të blejnë shumë më pak ushqime jo vetëm për shkak të taksave që shteti i merr, por edhe për shkak të kursit të këmbimit.
Pra kjo është situata dhe sot familjet shqiptare janë në këtë gjendje, pra raportet i tregojnë shumë më të varfra dhe i çojnë deri në gjysmën e popullsisë, afërsisht 44% e familjeve mbijetojnë, se s’po flas pastaj për kushte të tjera apo për shpenzime të tjera.
