Mëngjesin e kësaj të diele 5 gra dhe 14 fëmijë mbërritën në Shqipëri pasi kaluan vite të tëra në kampet siriane.

Ky ishte operacioni i radhës për të riatdhesuar shqiptarët e mbetur në kampet siriane. Sot u kthyen 5 gra e 14 fëmijë, shumë prej të cilëve kanë lindur nëpër kampe.

Konkretisht, sot mbërritën Brunilda. K nga Tirana, me 5 fëmijët e saj; Emanuela. V nga Dibra me 4 fëmijë; Lavdie. K nga Tirana me 2 fëmijët e saj; Klotilda. Z nga Tirana me 3 fëmijët si dhe së fundmi, Ruzhdije. B nga Librazhdi.

Të riatdhesuarit fillimisht do të qëndrojnë në një qendër të posaçme në Durrës, për disa ditë karantinim e kontrolle shëndetësore, e më tutje do të kthehen tek familjarët e tyre.

Pak para nisjes drejt Shqipërisë, një prej grave ka mundur të flasë me të vëllanë, në një bisedë të publikuar në median shqiptare.

-Fol me motrën që ti më merrje në telefon dhe interesoheshe gjatë gjithë kohës, është me mua.

Gruaja e riatdhesuar: Selam Alejkum Flori, jam Klodi

Flori: Motra si je, a je mirë?

Gruaja e riatdhesuar: Mirë, si je ti, jemi duke ardhur inshallah

Flori: Marshallah, mirëardhi motra!

Gruaja: Me kalamajt jam

Flori: A janë mirë?

Gruaja: Po shumë mirë janë dhe unë jam shumë mirë

Kujtojmë se ka ende shqiptarë që kanë mbetur në kampet siriane dhe disa prej tyre kanë refuzuar të rikthehen. Autoritetet dyshojnë se të paktën dy prej tyre mbahen si pengje dhe kanë frikë të thonë se duan të rikthehen, pasi mendojnë se mund t’i marrin jetën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re