Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka dhënë një mesazh me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut. Kryeparlamentari shprehet se “heroizmi i tyre e fisnikëroi më tepër Shqipërinë. Sot buqeta me lule të freskëta në Monumentin “Nënë Shqipëri” është përbetimi se Shqipëria meriton gjithçka dhe është mbi gjithçka”.
“Dita e Dëshmorëve të Atdheut është ndër ditët më të shënuara të kombit. Është dita kur Shqipëria përkujton vajzat dhe djemtë, gratë dhe burrat, që janë flijuar për lirinë dhe mbrojtjen e saj. Çdo komb krenohet me të rënët për lirinë. Nuk ka virtyt më të lartë për një shoqëri se sa nderimi për dëshmorët. Dëshmorët nuk janë thjesht krenaria e të kaluarës, ata janë mesazhi i të ardhmes. Qëndrimi ndaj dëshmorëve është shenjë e emancipimit dhe qytetërimit të shoqërisë”, shprehet Ruçi.
Mesazhi i plotë
Çdo kohë ka pasur luftëtarët, vetmohuesit dhe dëshmorët e saj. Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare është kuitesenca e luftërave çlirimtare të popullit shqiptar dhe dëshmorët e saj janë legjionarët e legjionarëve të lirisë dhe progresit shoqëror. Jeta e tyre është shkrirë në jetën e Shqipërisë. Heroizmi i tyre e fisnikëroi më tepër Shqipërinë. Sot buqeta me lule të freskëta në Monumentin “Nënë Shqipëri” është përbetimi se Shqipëria meriton gjithçka dhe është mbi gjithçka.
Vite më parë, i përkujtonim dëshmorët bashkë me nënat e tyre. Sot kemi midis nesh mbesat, nipat e stërnipat e tyre. Kjo është dialektika e jetës. Familjet shqiptare do të ruajnë përjetësisht kujtimin dhe nderimin për të rënët për atdheun dhe lirinë.
Unë jam krenar që kontribuova që Kuvendi i Shqipërisë të përmirësojë ligjin “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, për të respektuar e nderuar më shumë dëshmorët, familjet dhe organizatat e tyre. Sot shërbimi për atdheun kërkon mbrojtjen e jetëve njerëzore dhe ne i jemi kushtuar me gjithçka.
